Gostivar, stacioni filtrues brenda 3 javësh
Ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi, ka vizituar sot Gostivarin për të parë mundësitë e bashkëpunimit konkret me këtë komunë, me të cilat mund të konkurrohet në Ministrinë e Ambientit Jetësor.........

Për këtë vit, Ministria e Ekologjisë mori përsipër që të vazhdojë me ndërtimin e kanalizimit në fshatin Çegran. Për këtë projekt do të ndahen mjete me vlerë prej 3 milionë denarësh.
“Ramë dakord që ne si komunë, me projektet të cilat i kemi përgatitur në interes të shoqërisë së qytetit të Gostivarit, të konkurrojmë te Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe kjo ministri të parasheh mjete për financimin ose bashkëfinancimin e projekteve me Komunën e Gostivarit. Për këtë vit, Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mori përsipër që të vazhdojë me ndërtimin e kanalizimit në fshatin Çegran dhe do të ndajë mjete me vlerë prej 3 milion denarësh. Qyteti i Gostivarit ka probleme me kanalizimet për ujëra të zeza dhe se problemin e njëjtë e kanë edhe vendbanimet rurale, Banjicë e Poshtme dhe e Epërme, Zdunjë, Debresh, Balindoll dhe një pjesë e fshatit Çajlë. Besoj se ministri do të ndajë mjete nga buxheti i ministrisë në vitin 2015, për kanalizimin për ujëra të zeza në Fazaneri, Grudajcë dhe Banjeshnicë, sepse atje problemi është edhe më i madh. Ministri më njoftoi se në të ardhmen është paraparë që në Gostivar, si një prej qyteteve më të mëdha, të ndërtohet edhe stacioni filtrues për pastrimin e ujërave të zeza”- tha Bejta.
Nga ana tjetër, ministri, Nurhan Izairi, bëri me dije se stacioni i filtrimit për ujë të pijshëm do të jetë gati brenda tri javësh, ndërsa në përdorim do të lëshohet pas testimit të paraparë me ligj.
“Në vizitën e parë zyrtare në Komunën e Gostivarit patëm një takim produktiv, ku me kryetarin e komunës i shqyrtuam mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet ministrisë të cilën unë e drejtoj dhe Komunës së Gostivarit. Gjithashtu biseduam edhe për projektet që janë të financuara nga ana e qeverisë, gjegjësisht nga ministria të cilën unë e drejtoj. Këtu bëhet fjalë për stacionin e filtrimit të ujit të pijshëm, i cili është në fazën përfundimtare dhe ky projekt do të përfundojë brenda tre javëve dhe më pas do të fillojë me fazën e testimit, që do të thotë se erdhëm në fazën e përfundimit dhe pas fazës së testimit, i cili është i paraparë me ligj sa duhet të zgjatë, do të fillojë përdorimi i tij”- theksoi Izairi.
Kjo ishte vizita e parë zyrtare e ministrit, Nurhan Izairi, në Komunën e Gostivarit prej marrjes së drejtimit me Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. (Lulzim Haziri, TVM2)
