Maqedoni

Kuvend, masat e reja anti-Kovid në duart e deputetëve

19.10.2020 10:57

Për t’u implementuar pakoja e re me masat anti-Kovid, të propozuara nga Qeveria...

Për t’u implementuar pakoja e re me masat anti-Kovid, të propozuara nga Qeveria, duhet dritë jeshile nga Kuvendi Republikan, respektivisht të votohen nga ana e deputetëve.
 
Për t’u bërë obligative mbajtja e maskave në hapësira të jashtme dhe të mundësohen kontrollet policore nëpër shtëpi për mysafirët e tepërt, nevojiten vota edhe nga opozita, qoftë ajo maqedonase dhe ajo shqiptare. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, shpreson që ndryshimet në Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore të miratohen me procedurë të shkurtuar, për shkak të nevojës dhe im-operativit për të parandaluar përhapjen e virusit. Sipas tij, ligji është në procedurë parlamentare, me ç’rast mund të pësojë ndryshime me ndërhyrje të amendamenteve brenda javës.
 
Por, në situatën aktuale kur shumica parlamentare nuk është e kompletuar, duhet edhe një dorë e opozitës që të miratohen këto ndryshime ligjore. Nga VMRO-DPMNE nuk qartësuan nëse do t’i mbështesin masat e reja të propozuara nga Komisioni për Sëmundje Infektive. Nga opozita shqiptare shprehen të gatshëm që do të votojnë këto ndryshime në interes të shëndetit publik. Por, koalicioni ASH-AA vë në dyshim punën e Komisionit për Sëmundje Infektive.