Maqedoni

Transporti publik, Shilegov: Për momentin lejohet 75% e kapacitetit

19.10.2020 14:38

Qyteti i Shkupit është në pritje të vendimit të qeverisë rreth rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Infektive....

Qyteti i Shkupit është në pritje të vendimit të qeverisë rreth rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Infektive, sa i përket kufizimit të numrit të udhëtarëve në autobusët e transportit publik të qytetit, që pritet të jetë 50% e kapacitetit. Kreu i kryeqytetit, Petre Shilegov, sqaron se aktualisht është në fuqi regullativa që lejon në një autobus të mbushet 75% e kapacitetit.
 
“Për momentin rregullativa e vlefshme është se 75 udhëtarë janë të lejuar. Në autobus që zë 100 udhëtarë, 75 udhëtarë krijojnë pamjen se është i mbushur, por kjo është në përputhje me protokollet.”,- tha kryetari i Shkupit, Petre Shilego.
 
Shilegov njëherit theksoi se Ndërmarrja Publike Transportuese ndërmerr të gjitha masat anti-Kovid siç janë dezinfektimi i autobusëve, shenjëzimi i vendeve ku lejohet qëndrimi në këmbë dhe lëvizja në autobus. Por, ai apeloi për respektim të masave edhe nga qytetarët.
 
“Atë që duhet ta kuptojë secili prej nesh është që patjetër të kemi kujdes individual, për të mbrojtur shëndetin tonë, por edhe shëndetin publik. Pak udhëtarë mund të shihni me maska, prandaj kjo sipas meje është papërgjegjësi në sjelljen e një pjese të qytetarëve.”,- u shpreh kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.
 
Kreu i Shkupit njëherit bëri të ditur se bazuar në numrin e biletave të shitura, numri i udhëtarëve gjatë këtij viti është vetëm 37,5% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.
 
GAZMEND KURTISHI