Maqedoni

Rritet numri i rasteve pozitive në çerdhe, Shahpaska: 18 fëmijë dhe 55 të punësuar me Kovid-19

19.10.2020 14:07

Numri i fëmijëve dhe të punësuarve të prekur nga Kovid-19 në çerdhet e vendit gjatë dy javëve...

Numri i fëmijëve dhe të punësuarve të prekur nga Kovid-19 në çerdhet e vendit gjatë dy javëve të fundit ka shënuar rritje. Që nga fillimi i hapjes së çerdheve deri më tani, me virusin Korona kanë rezultuar pozitiv 18 fëmijë dhe 55 të punësuar, bëri të ditur ministrja e punës dhe politikës sociale, Jagoda Shahpaska.
 
“Është evidente që gjatë dy javëve të fundit numri po rritet, kështu që në periudhën prej 6 deri më 19 kemi edhe gjashtë fëmijë dhe 21 të punësuar pozitiv, që do të thotë se trendi i rasteve pozitive është njësoj si gjendja epidemiologjike në shtet. Të gjithë kanë gjendje shëndetësore të mirë. Për momentin kemi 309 fëmijë në izolim dhe rreth 50 të punësuar.”,- tha ministrja e punës dhe politikës, Jagoda Shahpaska.
 
Shahpaska po ashtu theksoi se Ministria po e përcjell situatën me kujdes të madh dhe tani për tani vlerëson se nuk ka nevojë për mbylljen e çerdheve.
 
“Do ta ndjekim gjendjen epidemiologjike si ministri me pushtetin lokal pasi jo gjithkund gjendja epidemiologjike do të jetë identike.”,- u shpreh Shahpaska.
 
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale njëherit apeloi te të punësuarit në çerdhe dhe prindërit që të respektohen masat dhe protokollet e Ministrisë dhe organeve shëndetësore. Si shembull të mirë Shapanska përmendi dy çerdhe në komunën e Gazi Babës, ku qëndroi për vizitë dhe konstatoi se nuk kanë asnjë rast të evidentuar deri më tani falë respektimit të protokolleve. 
 
LEUNORA KALIQI