Maqedoni
Osmani në Slloveni: Presim fillimin formal të bisedimeve me BE-në
19.10.2020 15:01
Maqedonia e Veriut me të drejtë pret përfundimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen...

Maqedonia e Veriut me të drejtë pret përfundimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të vitit, me çka edhe formalisht fillojnë bisedimet me BE-në, tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani, në takim me homologun e tij slloven, Anzhe Llogar. Ai vlerëson se problemet me Bullgarinë do të mund të tejkalohen duke respektuar politikën evropiane për fqinjësi të mirë.
“E informova kolegun Llogar për aktivitete tona si qeveri, për vizitën time në Sofje si dhe për punën e komisionit inter-disiplinar për çështje historike me Bullgarinë si kontribut i yni autentik drejt krijimit të fqinjësisë dhe tejkalimit të dallimeve. Besoj se sipas shembujve të vendeve tjera që u anëtarësuan në BE në dekadat e fundit, siç është edhe Sllovenia, me qasje pozitive dhe transparencë do t’i tejkalojmë sfidat me miqtë tanë bullgarë dhe nuk do të lejojmë të rrezikohet perspektiva evropiane e rajonit.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Llogar: Sllovenia përkrah fuqishëm RMV-në
Sllovenia përsërit qëndrimin se vazhdon ta përkrah vendin tonë në rrugën euro-integruese.
“Sllovenia përkrah fuqishëm RMV-në procesin eurointegrues. Organizimi i konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të vitit do të paraqesë epilog të vetëm logjik dhe vlerësim i të gjitha reformave të RMV-së dhe politikës së saj konstruktive në raport me fqinjët.”,- u shpreh ministri i jashtëm në Slloveni, Anzhe Llogar.
Vizita e ministrit Osmani në Slloveni është pjesë e diplomacisë ofensive për të siguruar mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së për miratimin e kornizës negociuese dhe fillimin e negociatave me BE-në në kohën e presidencës gjermane. Në Slloveni, Osmani është takuar edhe me kryetarin e kuvendit, Igor Zorçic, dhe zyrtarë të tjerë sllovenë.
NERMIN MUALKI FEJZULLAHU
