Maqedoni
Filipçe: Propozohet një pako e re masash anti-Kovid
19.10.2020 15:29
Komisioni për Sëmundje Infektive dhe Ministria e Shëndetësisë do t’i propozojnë Qeverisë...

Komisioni për Sëmundje Infektive dhe Ministria e Shëndetësisë do t’i propozojnë Qeverisë edhe një pako shtesë të masave anti Kovid. Sipas ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe, këto masa të propozuara nga Komisioni për Sëmundje Infektive, së bashku me masat e pakos së parë të miratuara nga qeveria dhe të dërguara në Kuvend, pritet të rezultojnë me zvogëlimin e numrit të personave të prekur me kovid 19.
“Të gjithë operatorët ekonomik të punojnë deri në orën 23, kufizim i kapacitetit në transportin publik deri në 50% dhe rekomandim deri te administrata publike dhe shtetërore, rekomandim deri te komunat dhe gjykatat që në përputhje me mekanizmin për punë procesi i punës të zhvillohet me ndërrime, ose online nga shtëpia, ose reduktim me sistem të rrotacionit, varësisht nga karakteristikat e procesit të punës.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipçe: Hapi i radhës ora policore
Po ashtu Filipçe paralajmëroi se të martën në Kuvend do të diskutohen ndryshimet ligjore për implementimin e pakos së parë të masave, që përfshijnë mbajtjen e obligueshme të maskës edhe në ambiente të hapura, kufizimin e grupimeve pas orës 22 në ambiente publike dhe kufizimin e tubimeve familjare. Ministri tha se situata është tejet serioze dhe nëse nuk respektohen masat hapi i radhës do të jetë ora policore.
“Të përcjell një porosi deri te qytetarët: situata me të vërtetë është serioze, hapi i radhës do të jetë kufizimi i plotë i lëvizjes, përkatësisht ora policore. Të mbledhim forca të gjithë që t’i respektojmë masat për ta shmangur tërë këtë.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipçe: Në disa qytete janë mbushur klinikat infektive
Kapacitetet e klinikave infektive vazhdojnë të mbushen për shkak të numrit të lartë të personave të infektuar me Kovid-19 në bazë ditore tha Filipçe.
“Tanimë është mbushur reparti infektiv në Strumicë Kumanovë, Shtip, ka filluar të angazhohen kapacitetet në spitalin e Koçanit, nuk ka vend në spitalin në Prilep, edhe një repart është hapur në spitalin në Manastir për tërë atë rajon, ndërsa me shpejtësi po mbushet edhe kapaciteti në spitalin e Gostivarit.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ende nuk ka pacient të vendosur në spitalin modular në afërsi të klinikës infektive në Shkup edhe pse gjithçka është gati për të pranuar pacient me Kovid-19.
GYLTENE SINANI
