Maqedoni

Hetimi "Parcelat në Vodno", Gruevski me paratë e partisë ka blere parcelë

19.10.2020 15:49

Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, hapi hetimin për rastin "Parcelat në Vodno"...

Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, hapi hetimin për rastin "Parcelat në Vodno", ku i dyshuar i parë është ish kryeministri, Nikolla Gruevski, pastaj Sasho Mijallkov, Risto Novaçevski, Nenad Josifoviq, Orce Kamçev dhe Ratka Kamçeva. Ata dyshohen për veprën penale "larje parash dhe të ardhura të tjera "me të cilat më pas kanë blerë parcela në Vodno.
 
I dyshuari i parë, Nikolla Gruevski, paratë e marra nga donacionet nga personat fizik dhe juridik i ka marrë për vete dhe nuk i ka paraqitur në raport. Të njëjtat Gruevski më pas, me ndihmën e të dyshuarve të tjerë, përmes hapjes së një firme, i ka lëshuar në qarkullim dhe ka blerë parcelë, vend ndërtimorë në Vodno. Vlera e shumës së marrë nga Gruevski është 1.300.360 euro, ndërsa sipërfaqja e tokës së blerë 11.000 metra katrorë. Prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion, Vilma Ruskoska, theksoi se faza parahetimore për këtë rast ka filluar në kohën e PSP-së, ndërsa më pas këtë lëndë e ka vazhduar Prokuroria publike.
 
“Incizimet joligjore janë vetëm indicie në bazë të së cilave mblidhen dhe u mblodhën dëshmi materiale dhe verbale dhe do të mblidhen edhe gjatë procedurës hetimore… Paratë që iu janë besuar në punë si kryetar i partisë politike, një pjesë prej tyre i ka marrë për vete me atë që donacione prej personave fizik dhe juridik nuk i ka paraqitur në raport.”,- tha Villma Ruskoska nga PKOK.
 
I dyshuari i tretë, Risto Novaçevski, është arrestuar dhe për të është kërkuar paraburgim dhe ngrirje të pronës që është lëndë hetimi. Gruevski është në arrati ndërsa ndaj të dyshuarve të tjera janë shqiptuar masa të tjera për sigurimin e prezencës së tyre. Ruskoska tha se do të kërkohet edhe ekstradim i ri për këtë lëndë për të dyshuarin e parë. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI