DAP: Nuk kërkuam ne të na asistojë policia
Nuk është DAP ai që ka urdhëruar dhe kryer aksionet për kontrolle nëpër lokalet e ndryshme me praninë e një numri të madh të forcave speciale të policisë, por është MPB-ja ajo që ka kërkuar që në aksionet e ditëve të fundit, DAP të lëshojë inspektorët e saj për të bërë kontrolle për punën nëpër këto lokale..........

Kështu deklaron zëvendësdrejtori i DAP-it, Argëtim Asani, i cili shprehet se me keqardhje po e demanton deklaratën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Zemri Qamilit.
“Unë duhet menjëherë ta demantoj zëvendësministrin, Zemri Qamilin, për shkak se këto aksione, këto spektakle janë me kërkesë të MPB-së dhe më vjen keq që gjithçka duhet t’i etiketohet DAP-it. Aksioni ose kërkesa është nga MPB-ja. Në këtë aksion nuk marrin pjesë vetëm inspektorë të drejtorisë sonë, por ka edhe të drejtorive tjera, të cilët nuk përmenden fare. Drejtoria jonë i kryen me sukses kontrollet pa asistencë policore gati çdo ditë. Përderisa jam unë këtu, nuk ka pasur asnjëherë incident ose diçka që të ketë kërkesë nga ana jonë për forcat e rendit. Më vjen keq që do ta them se ato kontrolle mund të bëhen pa asnjë problem dhe ne nuk kemi pasur problem, e tash ta hedhin topin tek DAP-i është jokorrekte. Unë nuk them që zëvendësministri e ka bërë me tendencë, por ndoshta nuk është informuar. Le të nxjerrin një kërkesë nga drejtoria jonë që ne kemi dërguar kërkesë për asistencë. Sot dëgjoj që drejtori i Inspektoratit të Tregut del për ta mbuluar këtë lojë dhe thotë unë e kam kërkuar. Nuk dua të hyj në ato loja që mua nuk më pëlqejnë, por ne na thonë se na duhen kaq inspektorë që të jenë këtu”- deklaroi zëvendësdrejtori i Drejtorisë për të Ardhura Publike, Argëtim Asani.
Dje, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zemri Qamili, arsyetoi pjesëmarrjen e forcave policore në aksionet nëpër lokale, duke deklaruar se MPB-ja është e obliguar t’u ofrojë ndihmë policore inspektorëve të DAP-it kur ata kërkojnë.
“Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Drejtorinë e të Hyrave Publike, ndërmerr aksione në vazhdimësi dhe ne do të vazhdojmë me kërkesë të Drejtorisë për të Hyrave Publike, ato kërkojnë asistencë nga MPB-ja dhe ne jemi të obliguar që t’u japim asistencë”- tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zemri Qamili.
Gjatë ditëve të kaluara, në prezencë të forcave speciale të policisë dhe inspektorëve të tregut janë mbyllur dhjetëra dyqane dhe lokale hotelierike në Çarshi të Vjetër dhe kompleksin “Çairçanja” në Çair, në Saraj, Kondovë, Likovë e Tetovë, për mosrespektim të Ligjit për Ndalimin e Pirjes së Duhanit, mungesës së arkave fiskale, si dhe lëshimeve tjera në punë. (Mefail Ismaili, TVM2)
