UÇK merr përgjegjësinë për sulmin ndaj qeverisë?

07.11.2014 15:44

Ushtria Çlirimtare Kombëtare ka marrë përsipër sulmin e 28 tetorit mbi godinën e Qeverisë........

Lajmin e ka publikuar Tv Alsat-M, prej të cilit thonë se deklarata ka mbërritur në postën elektronike nga një adresë me emrin Debatik Sharri. Në kumtesë thuhet se njësiti elitar "Hasan Prishtina", në mënyrë të koordinuar goditi godinën e Qeverisë dhe kishte në fokus goditjen e një stacioni policor në Shkup, por sulmi i dytë nuk ka ndodhur për të ruajtur qytetarët.

Përveç marrjes së përgjegjësisë për sulmin, është dërguar edhe një deklaratë politike e firmosur me emrin Kushtrimi, në të cilën kërkohet ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar, pasi sipas deklaratës, të drejtat e shqiptarëve po shkelen vazhdimisht dhe vendi po i largohet BE-së, duke shkuar drejt Serbisë e Rusisë. Ende nuk dihet kush qëndron pas kësaj embleme dhe nëse vërtetë kjo deklaratë e lëshuar përmes postës elektronike është dërguar nga njerëzit që vërtetë e sulmuan me dy predha qeverinë. Autoritetet nuk dinë asgjë zyrtarisht për këto deklarata.

Prokuroria ende po vazhdon hetimet dhe për momentin nuk ka asnjë të dyshuar. “Granatat janë ekzaminuar dhe i kemi kërkuar xhirimet e kamerave të objekteve përreth. Çdo njoftim ose fakt i ri do të analizohet dhe shqyrtohet nga ana e prokurorit të ngarkuar për këtë çështje”- thonë burime nga Prokuroria Publike për mediat maqedonase.

Edhe nga MPB-ja nuk dinë asgjë për këtë grup, por po i verifikojnë të dhënat mbi organizatën që deklarohet përgjegjëse për sulmin mbi Qeverinë. (Rexhep Qamili, TVM2)