Kosova ekstradon “Komandant Talibanin”

07.11.2014 15:48

Ministria e Punëve të Brendshme, ka pranuar sot nga autoritetet kosovare, nën masat më të larta të sigurisë, Metin Islamin, 33 vjeçar, i njohur ndryshe si “Komandat Talibani”........

Islami është i dyshuar dhe i dënuar për vepra që kanë të bëjnë me terrorizëm lidhur me aksionin "Stuhia Malore" në Brodec të Tetovës. Nga policia vërtetojnë se Islami është marrë nga Kosova, por nuk zbulojnë detaje më të hollësishme.

“Që nga viti 2008 është akuzuar nga gjykata e vendit për vepra që kanë të bëjnë me terrorizëm, si mbajtje dhe tregti të palejuar të armëve dhe mjeteve shpërthyese. Personi në fjalë gjithashtu ka qenë i involvuar edhe në aksionin "Stuhia Malore" në Brodec të Tetovës dhe arriti t’i ikë policisë maqedonase së bashku me tre persona të tjerë, në grupin e tyre ishte edhe Lirim Jakupi, gjithashtu i arratisur në Kosovë”- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

Nga policia thonë se për më tepër informata lidhur me këtë ekstradim do të dalin ditën e nesërme.

Ndryshe, më 7 nëntor të vitit 2007, në aksionin policor “Stuhia Malore” mbetën të vrarë 6 persona. 13 persona të tjerë u arrestuan dhe gjykuan. Njëri prej tyre, Hanif Dervishi, ndërroi jetë në burg, ndërsa 12 të tjerë vazhdojnë dënimin me gjithsej 109 vjet burg. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)