Botë

Greqia: Turqia jashtë unionit doganor

20.10.2020 12:49

Teksa rriten tensionet në Mesdheun Lindor dhe Ankaraja po përgatitet të kërkojë për depozita hidrokarburesh në det....

Teksa rriten tensionet në Mesdheun Lindor dhe Ankaraja po përgatitet të kërkojë për depozita hidrokarburesh në det, Athina po reagon diplomatikisht.
 
Mediat greke raportojnë se ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, i ka kërkuar Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhei, ta ndëshkojë Turqinë duke e përjashtuar nga unioni doganor me BE-në.
 
Në letrën e tij, Dendias akuzon palën turke se e ka shkelur marrëveshjen me tarifat e paparashikuara dhe masat e veta legjislative, prandaj nuk duhet të përfitojë më nga korridori ekonomik që e shfrytëzon nga viti 1995.
 
Ndër të tjera, ministri Dendias u ka bërë të qartë një sërë aktorësh ndërkombëtarë për qasjen provokuese dhe destabilizuese të Turqisë.
 
Për situatën në Mesdheun Lindor, Athina mësohet se ka informuar sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Sekretarin amerikan të Shtetit, Majk Pompeo, kryediplomatin e BE-së, Xhozep Borel, Organizatën Ndërkombëtare të Detit dhe Aviacionit Civil dhe agjencinë e mbrojtjes kufitare, FRONTEX.
 
Rolin destabilizues të Turqisë në rajon e pranoi një ditë më parë edhe ministri i Jashtëm gjerman në një intervistë për gazetën “Kathimerini”.
 
Bashkimi Europian mësohet se i ka lënë Ankarasë kohë deri në dhjetor për t’u tërhequr nga veprimet e njëanshme dhe për të evituar sanksionet.
 
Pala turke thotë se është në të drejtën e saj të analizojë terrenin detar për depozita gazi dhe nafte edhe pse ato ndodhen afër ishujve greko-qipriotë.
 
Nëse do zbulohen sasi të konsiderueshme, Ankaraja thotë se do ndërmarrë operacionet e nxjerrjes së hidrokarbureve pranë ishullit Kastellorizo.