Botë

Dendias në Tiranë, PDIU në protestë, ndalohet drejtuesi i VV-së

20.10.2020 13:53

Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, po qëndron në Tiranë....

Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, po qëndron në Tiranë, por vizita  e tij në kryeqytetin shqiptar është pritur me protesta nga mbështetës të PDIU dhe shoqatës Çamëria, të cilët u përplasën me policinë që ishte angazhuar për të shmangur incidentet. Nga PDIU akuzojnë policinë se nuk u ka dhënë leje për protestën që kishin paralajmëruar. Ata kërkojnë që Greqia të kërkojë falje për çamët dhe pronat, e sigurisht të mos bisedohet për kufijtë detarë.
 
Policia ndërkohë ka shoqëruar edhe drejtuesin e lëvizjes vetëvendosje në në Tiranë, Bojken Abazi, si dhe një qytetar tjetër që mbante një pankartë “Çamëria është gjallë”. Nga Vetëvendosje thonë se  me arrestimin e Abazit, qeveria Rama kërkon të të ofrojë një dhuratë të dhunshme ndaj vizitorit grek. Sqarojnë se tubimi paqësor protestues i organizuar nga Shoqata “Çamëria” dhe PDIU, synon shtrimin e kërkesave në lidhje me zgjidhjen e çështjes shqiptare të Çamërisë, heqjen e ligjit të luftës dhe delimitimin e drejtë të kufijve detarë. Për sa kohë shteti grek vazhdon politika diskriminuese e armiqësore ndaj shqiptarëve, ne do të vazhdojmë ta themi të vërtetën, edhe duke protestuar, e Rama nuk mund të na ndalë me arrestime të shënjestruara. Bëjmë thirrje të lirohet Boiken Abazi një orë e më parë, e të dënohen urdhërdhënësit për përndjekjen politike e shënjestrimin që po na bëjnë, thonë nga Vetëvendosje.