Maqedoni

VMRO-DPMNE: KSI dështoi, çdo i katërti i testuar me Covid-19

20.10.2020 14:52

VMRO-DPMNE akuzon Komisionin për Mbrojtjen nga Sëmundje Infektive...

VMRO-DPMNE akuzon Komisionin për Mbrojtjen nga Sëmundje Infektive, se ka dështuar plotësisht për të mbrojtur qytetarët nga Covid-19, e kjo sipas opozitës duket qartë nga fakti që çdo i katërti i testuar në vend, është i infektuar me Kovid. 
 
“Çdo masë është e vonuar për një arsye të thjeshtë, se kjo qeveri nuk ndihmoi qytetarët, ekonominë dhe gjithçka tjetër, si në drejtim të luftimit të krizës shëndetësore ose krizës ekonomike të cilën për momentin po e ndjejmë të gjithë. Do të duhet të ndiqen trendet dhe përvojat botërore në luftimin e pandemisë. Shohim se në shumë shtete veç më është sfiduar pandemia dhe shifrat po bien, vetëm te ne po merr hov të madh duke marrë nga dhjetëra jetë njerëzish.”,- deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
 
Zaev: Ndërmorëm masat e njëjta si çdo vend në botë
 
Por, kreu i ekzekutivit thotë se vendi ka ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtje nga Kovid-19, njësoj si të gjitha vendet e botës që përballen me të njëjtin armik të padukshëm.
 
“E shihni se numrat po rriten. Virusi qëndron në sipërfaqe gjatë lëvizjes, ne po e ngremë. Të gjitha masat që janë propozuar e që presin ndryshime ligjore dhe masat tjera shtesë nuk dallojnë nga masat të cilat i propozon bota. Çështja është se deri ku vlerësojnë ekspertet se impakti nga masat do të mundësojnë të jetësojë ekonomia.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
U shty debati rreth ligjit, VMRO-DPMNE kërkon kohë ta analizojë
 
Megjithëse akuzon autoritetet se nuk po bëjnë asgjë për të mbrojtur qytetarët, opozita shtyu futjen në rend dite në Kuvend ndryshimet ligjore të Ligjit për Mbrojtje të Popullsisë nga Sëmundje Infektive me procedurë të shkurtuar. Nga VMRO-DPMNE kërkojnë më shumë kohë për të shqyrtuar se çfarë përmban ligji, sepse sipas tyre “kanë dyshime për disa akte ligjore”.  Ligji pritet të  diskutohet më 27 tetor, kur dhe pritet që në Kuvend të kthehen edhe dy deputetët, Laze Tanevski dhe Ismail Jahoski, që rezultuan pozitivë ndaj Covid-19.
 
MERAL ISMAILI