Maqedoni
Paralajmërohen investime gjermane, Bekteshi: Punojmë në lehtësimin e kushteve
20.10.2020 15:30
Kompani gjermane kanë shfaqur interesim për të investuar gjatë vitit të ardhshëm në Maqedoninë e Veriut...

Kompani gjermane kanë shfaqur interesim për të investuar gjatë vitit të ardhshëm në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ata që janë veç më këtu planifikojnë të rrisin investimet dhe kapacitetet e tyre. Këtë paralajmërim e dha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pas takimit me drejtorin e Odës Ekonomike të Gjermanisë. Në periudhën në vijim, Bekteshi theksoi se do të punohet në lehtësimin e procedurave doganore dhe krijimin e kushteve sa më të mira për investime të paralajmëruara në sektorin automobilistik.
“Ne si ministri më vetëm se kemi pranuar një sërë kërkesash nga investitorët të cilët kanë të bëjnë me shkallën e doganimit të produkteve të caktuara dhe me siguri që do t’i marrim vendimet e duhura në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave me të vetmin qëllim, që në vitin 2021 të gjitha kompanitë të cilat veç më kanë lajmëruar që do të bëjnë investime në vendin tonë, apo do të rrisin kapacitetet e tyre ekzistuese, t‘ua mundësojmë që pikërisht këto investime t’i bëjnë në dinamikën e paraparë nga ana e këtyre kompanive.”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Martens: Situata e rëndë por ka sinjale për investime të reja
Momentalisht situata është e vështirë, por nëse kushtet për biznes do të jenë të volitshme, e sigurt se do kemi edhe investime të reja, theksoi drejtori i Odës gjermane, Patrik Martens.
“Kompanitë gjermane që veprojnë në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Gjermani, po përballen me probleme gjatë procesit të punës të shkaktuara nga pandemia. Askush nga ne nuk është i sigurt se kur do të përfundojë pandemia, por ajo që mund të them është se po marrim sinjale pozitive nga kompanitë gjermane. Ata besojnë se sapo të mbarojë pandemia dhe nëse këto kushte pune mbeten, planifikojnë të zgjerojnë aktivitetet e tyre dhe të rrisin investimet e tyre në të ardhmen, madje ka interes për investime të reja.",- tha drejtori i Odës Ekonomike gjermane, Patrik Martens.
Shkëmbimi tregtar mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Gjermanisë arriti në një nivel prej 4.4 miliardë euro, ndërsa tani, pas krizës së shkaktuar nga koronaviursi, ka një rënie të dukshme.
ZEKIRJA MEXHITI
