Maqedoni

U miratua pakoja e dytë e masave anti Kovid në Qeveri

20.10.2020 16:10

Qeveria miratoi pakon e dytë të masave anti Kovid të propozuara nga Komisionit për Sëmundje Infektive....

Qeveria miratoi pakon e dytë të masave anti Kovid të propozuara nga Komisionit për Sëmundje Infektive. Pakoja e dytë e masave anti Kovid parasheh që të gjithë operatorët ekonomik të punojnë deri në orën 23, kufizim i kapacitetit në transportin publik deri në 50% dhe rekomandim deri te administrata publike dhe shtetërore, rekomandim deri te komunat dhe gjykatat që në përputhje me mekanizmin për punë procesi i punës të zhvillohet me ndërrime, ose online nga shtëpia ose reduktim me sistem të rrotacionit, varësisht nga karakteristikat e procesit të punës.
 
Këto masa nuk do të jenë pjesë e dispozitave plotësuese në propozim-Ligjin për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundjet Ngjitëse. Numri i të infektuarve po rritet ndërsa masat që po merren janë të ngjashme me ato që i marrin shumica e vendeve në botë, thotë kryeministri, Zoran Zaev. 
 
“Masat e propozuara te Qeveria nuk janë aspak të ndryshme nga ato në 80 apo 90% e botës. Masat janë të njëjta, nuk ka asnjë risi brenda, çështja është se deri ku vlerësojnë ekspertët se është ndikimi duke lënë mundësi edhe për të mbijetuar ekonomia, nuk duhet tepruar as në njërën as në anën tjetër.”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
 
Zaev po ashtu theksoi se edhe pakoja e parë e masave anti Kovid e propozuar nga Komisioni për Sëmundje Infektive, e që është miratuar edhe nga Qeveria, po pret ndryshimet ligjore në Kuvend, që të mund të implementohet. 
 
Masat e reja të Qeverisë, Ziberi: Ende nuk kanë ardhur në Kuvend
 
Por, kryetari i Komisionit për Shëndetësi, Arben Ziberi, thotë se ende nuk janë njoftuar me masat që Qeveria kërkon të miratohen nga ana e deputetëve. Sapo masat të arrijnë në Kuvend do të vendosen për shqyrtim në rend dite në Komision, thotë Ziberi.
 
“Ne nuk kemi marrë ende propozim konkret me masat e reja të propozuara nga Qeveria, ose më saktë Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, në momentin që do arrijnë në Kuvendin e RMV-së si kryetar i Komisionit për Shëndetësi do të konvokojë mbledhjen e Komisionit dhe do diskutojmë masat e propozuara nga KSN ose Ministra e Shëndetësisë, e do të dalim me njoftim për opinionin se çfarë është vendosur në Komisionin për Shëndetësi. Në momentin që do të mbërrijnë, ne do t’i shqyrtojmë ato.”,- u shpreh kryetari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Arben Zyberi.
 
Pakoja e parë e masave anti Kovid parasheh mbajtjen e detyrueshme e maskave, kufizimi i grumbullimeve pas orës 22 në ambiente të hapura dhe ndalesa e ahengjeve familjare.
 
GYLTENE SINANI