Maqedoni
Masat anti-Covid, Penalja me protokoll pune gjatë pandemisë
20.10.2020 16:26
Shtimi i numrit të qytetarëve të prekur me COVID-19 në vend, ka filluar të ndikojë edhe në procedurat gjyqësore....

Shtimi i numrit të qytetarëve të prekur me COVID-19 në vend, ka filluar të ndikojë edhe në procedurat gjyqësore. Në Gjykatën Penale në Shkup, së fundmi janë anuluar tre nga gjykimet me interes për publikun. Pas rezultimit pozitiv të Sasho Mijallkovit me virusin Korona, u anuluan gjykimi "Target dhe Fortesa", ndërsa Mijallkov është i akuzuar edhe në rastet “Tortura", "Thesari” dhe "Titanik 2" - të cilin Apeli e ktheu në rigjykim. Në procesin gjyqësor për rastin "Titanik" doli pozitiv me COVID-19 ish shefi i kabinetit qeveritar, i akuzuari Martin Protugjer.
Ndërkohë, në procesin gjyqësor për “Organizatorët e dhunës në Kuvend”, për shkak të izolimit të të akuzuarit, Spiro Ristevski, me vendim të gjykatësit, gjykimi është anuluar. Gjykata Penale në Shkup, në pajtueshmëri me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit si dhe masave dhe protokolleve të autoriteteve shëndetësore për mbrojtje nga COVID-19, ka publikuar protokollin për zbatimin e masave. Protokolli është punuar nga Këshilli Gjyqësor dhe ka të bëjë me të gjithë të punësuarit dhe palët në procedura gjyqësore që hyjnë në gjykatë. Protokolli ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve në gjykatë, por para së gjithash mbrojtjen e shëndetit të të gjithë qytetarëve të cilët kanë nevojë për realizmin e të drejtave para gjykatës. Dispozitat e përgjithshme të protokollit parashohin që para hyrjes në ndërtesën e gjykatës të kontrollohet temperatura trupore, të bëhet dezinfektimi i duarve, të mbahet maska mbrojtëse, të ketë distancë sociale dhe të praktikohet komunikimi elektronik përmes UEB portaleve dhe telefonave zyrtarë. Në gjykimore, numri i palëve pjesëmarrëse në proces duhet të jetë në pajtueshmëri me kapacitetin e hapësirës, me qëllim të mbajtjes së distancës fizike.
FLORIJE BELULI KAMBERI
