Mosmarrëveshjet me Bullgarinë, Zaev: Nuk ka nevojë për takim liderësh

20.10.2020 17:00

Bullgaria nuk kërkon nga Maqedonia e Veriut ndryshime kushtetuese....

Bullgaria nuk kërkon nga Maqedonia e Veriut ndryshime kushtetuese apo marrëveshje të re për zgjidhjen e çështjeve të hapura, thotë kryeministri, Zoran Zaev.

Sipas tij, dy vendet kanë nënshkruar një marrëveshje dhe çështjet e hapura duhet të zgjidhen nëpërmjet komisioneve të përbashkëta, prandaj nuk e sheh të nevojshme mbajtjen e takimit të liderëve.

“Me të vërtetë nuk shoh nevojë për takim liderësh për diçka që është punë e komisioneve. Për momentin BE po e përgatit Konferencën ndërqeveritare ku secili nga vendet ka të drejtë të sjellë vendim. Vendimet janë solidare dhe konsensuale. Konferenca e parë ndërqeveritare nënkupton edhe fillimin zyrtar të bisedimeve dhe implementim të vendimit të marsit të Këshillit Evropian për fillim të bisedimeve.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

VMRO-DPMNE: Zaev të njoftojë opinionin me kërkesat bullgare

Por, nga VMRO-DPMNE thonë se nuk mund t’u besohet deklaratave të Zoran Zaevit, i cili nuk e pranon takimin e liderëve për të mos e njoftuar opinionin për atë që po bisedohet.

“Takimi i liderëve u refuzua për arsyen e thjeshtë, të shmanget nga ajo që duhet t’i njoftojë qytetarët. Në atë takim duhet të flitet hapur për të gjitha çështjet që për momentin janë të rëndësishme, e që me të vërtetë i tangojnë qytetarët, si në planin e jashtëm të marrëveshjes me fqinjin lindor, deri te ekonomia, arsimi, regjistrimi dhe çështje tjera.”,- tha Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.

Bisedimet me BE-në, Zaev: Mund të mos nisin, me kërkesa të papranueshme

Kryeministri ndërkohë pret që në dhjetor vendi të nis bisedimet me BE-në, përveç nëse nuk kërkohet diçka e pa kapërdishme.

“Besoj se kjo do të ndodh në dhjetor, por nëse nuk ndodh, atëherë duhet të dihet se nga ana jonë është kërkuar diçka që ne assesi as që guxojmë të flasim, e as që do të dëshironim të pranojmë. Por, të lëmë hapësirë të bisedohet nga ana e komisioneve.”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

Zaev përkujton se gjuha maqedonase dhe populli maqedonas janë evidentuar në Kombet e Bashkuara dhe janë pranuar nga tërë bota dhe edhe në marrëveshjen mes dy vendeve flitet për dy popuj të ndryshëm. (Sanije Duraku, TVM2)