Maqedoni
Rebalanci i buxhetit, Likova përfiton 9.9 mln denarë për ujësjellësin
20.10.2020 17:51
Komuna e Likovës do të përfitojë nga rebalanci i buxhetit 9.9 milionë denarë...

Komuna e Likovës do të përfitojë nga rebalanci i buxhetit 9.9 milionë denarë, përkatësisht rreth 161 mijë euro, për fazën e tretë të ujësjellësit.
Ministria e Financave e pranoi amendamentin e dy deputetëve të BDI-së nga kjo zonë zgjedhore, Berat Ajdari dhe Arbër Ademi, ndërkaq anëtarët e Komisionit për Financa dhe Buxhet e miratuan atë.
“Këtë propozim amendament e bëjmë me të vetmin qëllim që të sigurohen mjete me lartësi prej 9.9 milionë denarë për ndërtimin e sistemit për furnizimin me ujë të pijshëm në fshatin Likovë. Është projekt që është duke u realizuar. Këto mjete na shërbejnë vetëm për të vazhduar rrjetin sekundar të ujësjellësit në fshatin Likovë.”,- deklaroi deputeti i BDI-së, Berat Ajdari.
Deputetët e opozitës e përkrahën amendamentin dhe kërkuan nga deputetët e shumicës që edhe ata të përkrahin amendamentet e opozitës për projekte të ngjashme me rëndësi jetësore. Konsiderojnë se shumica edhe me rebalancin e buxhetit po përpiqet të fitojë pikë politike.
“Sot fituat pikë politike, shtesë, z. Arbër dhe kolegu tjetër Berat Ajdari. Fituat pikë politike në Likovë dhe Kumanovë, duke lëvduar projektet që keni realizuar dhe që do të realizoni, për fat keq kam përshtypjen se këtu komunat nadhen në komuna të përshtatshme dhe të papërshtatshme politikisht.”,- tha Zhaklina Peshovska nga VMRO-DPMNE.
“Një subjekt politik që për gjithë këto vite qeverisje dhe pasje të pushtetit i ka lënë qytetarët pa ujë si në Likovë, në Siniçan, në Zhelinë, në Pallçishtë dhe çdo kund tjetër ku qytetarët kanë mungesë të ujit apo burimit të ekzistencës, duhet dënuar dhe jo fituar pikë politike.”,- tha Ilire Dauti nga ASh.
Komisioni hodhi poshtë amendamentin e VMRO-DPMNE-së me të cilin kërkoheshin rreth 1.162 milionë denarë për efikasitet energjetik të komunave.
Nga 186 amendamentet e dorëzuara, 177 janë amendamente të VMRO-DPMNE-së. Rebalanci i dytë i buxhetit ndodh për të financuar pakon e re të masave ekonomike për t’u përball me pasojat nga epidemia.
SHPËTIM NUREDINI
