Botë
Asociacioni i Komunave Serbe, Hoti: Nuk do të bllokojë procesin e negociatave
21.10.2020 14:49
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, komentoi deklaratën e përfaqësuesit special të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak....
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, komentoi deklaratën e përfaqësuesit special të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, se kushtetuta duhet të ndryshohet për të zbatuar Asociacionin e Komunave Serbe, duke siguruar se nuk do të preket karakteri unitar i shtetit. Pavarësisht se Serbia e ka kushtëzuar dialogun me temën e Asociacionit, Hoti, në një konferencë për media të mërkurën në Prishtinë, tha se kjo temë nuk do ta bllokojë procesin e negociatave. Ai shtoi se nëse procesi i dialogut bllokohet, kjo nuk do të ndodhë për fajin e Kosovës, pasi, sipas tij, qeveria që ai udhëheq, ka treguar përkushtim për këtë proces që prej marrjes së mandatit në fillim të qershorit.
“Unë nuk pres që Asociacioni ta bllokojë procesin e dialogut për shkak se është edhe një dakordim i ndërmjetësit për dialog, që çështja e Asociacionit, marrëveshja për Asociacionin është temë e mbyllur…Kushtetuta është prekur më 2013, kur është ratifikuar kjo marrëveshje (v. j. për Asociacionin). Është marrëveshje ndërkombëtare që është ratifikuar me 2/3 e votave të deputetëve të Kosovës”,- tha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kosova dhe Serbia, më 2013, kanë arritur marrëveshjen e parë, me të cilën parashihej edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Më 2015, dy palët kanë arritur një marrëveshje të dytë lidhur me parimet e themelimit të këtij Asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
