Tetovë, protesta për mbylljen e “Jugohromit”

07.11.2014 16:33

Ajër për Tetovën, stop ndotjeve kancerogjene, duam ajër, mjaft më na helmuat, ne nuk mund të ndalim frymëmarrjen, ata mund të ndalin ndotjen, ishin këto disa nga thirrjet që dëgjoheshin në sheshin “Iliria” në Tetovë gjatë protestës mbarëpopullore kundër vendimit të qeverisë, që ditë më parë i dha leje Kombinatit Metalurgjik “Jugohrom” që të vazhdojë me punë edhe për dy vite tjera......

Protesta është organizuar nga Shoqata “Eko Guerila”. Kryetari i kësaj shoqate, Arijanit Xhaferi, theksoi se protestuesit nuk kërkojnë asgjë më tepër përveç ajrit.

“Ju ftoj të gjithëve që të përgatiteni për një rrugëtim të gjatë, të vështirë e të lodhshëm, për një rrugëtim që ne e kemi patjetër ta bëjmë, sepse nuk kemi burime tjera të ajrit. Ne nuk mund të ndalim frymëmarrjen tonë, ndërsa ata mund ta ndalin ndotjen shumë lehtë, me një buton në makineri, me një nënshkrim të një ministri apo kryeministri, me një vendim të arsyeshëm”- deklaroi Arianit Xhaferi.   

Protestuesit thonë se vendimi i qeverisë për t’i dhënë leje “Jugohromit” për të vazhduar me punë edhe dy vite është i gabueshëm, ata apelojnë deri te qeveria që t’i marrë me shumë seriozitet kërkesat e tyre, pasi nëse kjo protestë nuk merret parasysh, atëherë në të ardhmen do të ndërmarrin masa më radikale.

“Nëse bëjmë një paralele, është fer që të mbytemi gjithë ne me këtë ajër apo shteti t’u sigurojë fabrikë atyre punëtorëve që punojnë atje”- tha një qytetar.

“Kemi dalë për ajër të pastër, nuk ka ajër të pastër, duhet mbyllur “Jugohromi”, sepse e ndot shumë ambientin”- u shpreh një qytetar.

“Ambientin nuk e kemi të pastër, është kancerogjen për gjithë qytetarët e Tetovës, përfshi edhe qytetarët e Gostivarit dhe vendimin që e solli qeveria, ku i dha leje “Jugohromit” të punojë edhe dy vitet e ardhshme, vlerësoj se është një gabim i hatashëm”- theksoi një qytetar.

Sot në Tetovë nuk protestonin vetëm tetovarët.

“Ne jemi këtu dhe kemi ardhur nga Gjermania dhe Zvicra dhe mendojmë se ndotja e ajrit është shumë e keqe dhe kjo është arsyeja pse jemi këtu dhe po protestojmë. Mendoj se është një shenjë e mirë kjo sot. Këtu ka shumë njerëz dhe ka arsye pse po protestohet. Këto protesta janë në rregull, ne dëshirojmë që këta njerëz të vazhdojnë kështu”- deklaroi një qytetar nga Gjermania.

“Është vërtet keq që njerëzit të mos kenë ajër të pastër. Kjo gjë ndikon keq edhe për shëndetin e njerëzve, por edhe për vetë ambientin”- tha një qytetare e Zvicrës.

Nga Shoqata “Eko Guerrilla” kërkojnë nga Qeveria e Maqedonisë të anulojë vendimin skandaloz për “Jugohromin” dhe të sjellë një vendim me të cilin do të udhëzohet ndërprerja e pjesës ndotëse të “Jugohromit”, si dhe urgjentisht të zgjidhet çështja e deponive të egra në rajonin e Pollogut. (Miftar Emini, TVM2)