Masat restriktive anti-Covid, ASh do të ndërhyjë me amendamente në Kuvend
Opozita shqiptare paralajmëron amendamente për përmirësimin e tekstit...

Opozita shqiptare paralajmëron amendamente për përmirësimin e tekstit ligjor për mbrojtje shëndetësore të popullatës nga sëmundjet ngjitëse ku duhet të përfshihen edhe masat restriktive anti-Covid.
Deputeti, Syrija Rushiti, nga ASh, si pasojë e shifrave të larta të vdekshmërisë, ngre dyshime edhe për punën e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse.
“Ne do të jemi konstruktivë, por gjithsesi do të kontribuojmë edhe në përmirësimin e tekstit të ligjit ashtu si edhe është roli i deputetit përmes amendamenteve në Komisionin për Shëndetësi. Ndoshta edhe Komisionin për Sëmundje Ngjitëse të mos e zgjedh Ministria e Shëndetësisë, por të dalë nga parlamenti, ku do të marrë rolin më aktiv edhe opozita që të ketë njerëzit e vet dhe detyrimisht duhet t’i ndajmë përgjegjësitë.”,- tha Syrija Rushiti nga ASh.
BDI: Miratimi me konsensus, ndryshimet të domosdoshme
Deputeti i shumicës parlamentare, Arbër Ademi, thotë se është domosdoshmëri të miratohet ligji dhe pret që kjo më 27 tetor të arrihet me konsensus.
“Pres që me konsensus këtë akt ligjor edhe ta mbështesim, nuk kam dyshim. Po gjithsesi duhet të besojmë në institucione, mos të minojmë punën e institucioneve, mos të obstruojmë punën e institucioneve, por, përkundrazi, të japim kontributin tonë aq sa mundemi dhe aty ku jemi në mënyrë që të dalim nga kjo situatë.”,- u shpreh Arbër Ademi nga BDI.
Puna online e Kuvendit, ASh dhe BDI me qëndrime të kundërta
Në “Argument” në TVM2, dy deputetët me qëndrime të kundërta edhe për punën online të Kuvendit, pasi këtë e pamundëson rregullorja.
“Ideja ishte që fillimisht kjo çështje të vlejë vetëm për ata deputetë që aktualisht janë të infektuar ose në izolim, kurse të tjerët të punojnë me prezencë fizike, dhe mendojmë se kjo është që në derë të vogël të futet propozimi që Kuvendi të punojë krejt në mënyrë online.”,- u shpreh Syrija Rushiti nga ASh.
“Unë mendoj se ne kështu po e dëmtojmë procesin, tre deputetë i ke jofunksionalë në Kuvend, tre deputetë nuk marrin pjesë në punën e Kuvendit, pse? Sepse ne themi ndoshta shumica në derë të vogël dëshiron një punë të madhe dhe të na çojë të gjithëve online, që nuk qëndron.”,- tha Arbër Ademi nga BDI.
VMRO–DPMNE është shprehur e prerë kundër funksionimit nga distanca të Parlamentit, pasi do të ishte veprim antikushtetues.(Meral Ismaili, TVM2)
