Maqedoni

Deklarata e Karakaçanovit, Shekerinska: Kaloi koha kur jepeshin deklarata të tilla

21.10.2020 16:01

Ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, e ka cilësuar si joserioze deklaratën e homologut të saj bullgar...

Ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, e ka cilësuar si joserioze  deklaratën e homologut të saj bullgar, Krasimir Karakaçanov, se pa zgjidhur kontestin me Bullgarinë, RMV nuk mund të fillojë formalisht negociatat me BE-në. Një deklarim i tillë, sipas saj, nuk i ngjan deklarimeve që duhet të vijnë  nga një vend anëtar i NATO-s.
 
“Ka kaluar koha kur ministrat e mbrojtjes nga rajoni ynë mund të japin deklarata të atilla e dikush t’i marrë si serioze. Bullgaria është anëtare e NATO-s, ne jemi anëtare e NATO-s dhe kjo nuk është mënyra me të cilën komunikojnë apo duhet të komunikojnë anëtarët e NATO-s. Ne do të vazhdojmë të përcjellim mesazhet e njëjta, siç kemi vepruar vitet e kaluara dhe mesazhi është se qytetarët tanë na paguajnë dhe presin t’ju sigurojmë mbrojtje, E ajo mbrojtje varet nga raportet e mira fqinjësore.”,- deklaroi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
 
Edhe Qeveria dënon deklaratën e ministrit  bullgar. Presin nga Bullgaria të përkrahin procesin euro-integrues të vendit. Zëdhënësi, Dushko Arsovski, nuk ka përgjigje nëse Shkupi zyrtar do të dërgojë notë proteste  në Sofje për këtë deklaratë të Karakaçanovit. Në prag të pritjes së takimit të dy kryeministrave Zaev dhe Borisov, ministri  bullgar i mbrojtjes sërish  nxehu gjakrat me deklarimet se Shkupi duhet të pastrojë me Sofjen të gjitha falsifikimet historike madje ofroi ndihmë me ekspertë e forume rinore të VMRO-së për të rrënuar monumentet kontestuese.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU