Rebalanci i buxhetit, VMRO-DPMNE: Po tërheqim amendamentet, s’doni t’i mbështesni
Komisioni për Financa dhe Buxhet...

Komisioni për Financa dhe Buxhet vazhdoi shqyrtimin e amendamenteve për ndryshimin dhe plotësimin e propozimit për rebalancin e buxhetit.
Opozita e kryesuar nga VMRO-DPMNE, e cila ka parashtruar 177 amendamente, e pakënaqur nga qasja e pushtetit, u tregua e gatshme që të tërheq të gjitha amendamentet nëse Ministria e Financave dhe shumica parlamentare deklarohen se nuk i përkrahin. Sipas tyre, kështu do të shterej debati shterp në Komision.
“Ju kisha lutur që të marrim përgjigje nëse planifikojnë t’i refuzojnë të gjitha amendamentet që ta dimë nëse t’i tërheqim amendamentet ose jo. Të marrim përgjigje se sa amendamente, nga 177, do të na refuzoni. Ja unë po ju them se do të na refuzoni 172.”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Kovaçevski: U pranuan ato që kanë mundësi të realizohen
Mirëpo, zëvendësministri i financave sqaroi se rebalanci i buxhetit ndodh në tre muajt e fundit të vitit dhe ka për qëllim zbatimin e pakos qeveritare anti-krizë. Sipas tij, janë pranuar disa amendamente të opozitës që janë në to korniza dhe që mund të realizohen brenda vitit.
“Ka edhe disa amendamentet që i kontrollojmë e që mund të pranohen. Nuk janë menjëherë pas këtij amendamenti, kështu që nuk mund t’ju them se sa amendamente do të pranohen. Por sërish do të kthehem në parimet. Ne nuk do të dëshironim si ministri që të pranojmë amendamente për të cilat nuk ekziston mundësi reale që të realizohen. Kjo do të nënkuptonte rezervim mjetesh në buxhet të cilat nuk do të mund të realizohen dhe do të mbeten të pashpenzuara.”,- tha zëvendësministri i financave, Dimitar Kovaçevski.
Komisioni për Financa dhe Buxhet ka në dispozicion dhjetë ditë për të shqyrtuar rebalancin e buxhetit të shtetit për vitin 2020, që me pas të kalojë në seancë plenare për votim. Shqyrtimi i arkës së shtetit filloi më 15 tetor.
Me rebalancin, ana e të ardhurave buxhetore është projektuar në 3.1 miliardë euro, ndërsa ana e shpenzimeve në 4.1 miliardë euro. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
