Maqedoni

Seti i katërt i masave ekonomike, Bekteshi: Jo politikë ditore, miratoni buxhetin

21.10.2020 17:00

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pret që me rebalancin e buxhetit...

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pret që me rebalancin e buxhetit, të vazhdojë realizimi i setit të katërt të masave qeveritare për ekonominë. Bekteshi u apelon partive të mos bëjnë politikë ditore, por ta miratojnë sa më shpejt rebalancin që të mundësojnë realizimin e pakos së 4 të masave ekonomike.
 
“U bëj thirrje të gjitha partive politike me masa të cilat janë kahëzuar drejt mbështetjes së qytetarëve, të biznesit, në ruajtjen e vendeve të punës nuk duhet të bëhet politikë ditore. Të gjithë duhet të kontribuojmë drejt përmirësimit të atyre masave dhe t’u dalim në ndihmë.”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Deri të premten në Kuvend duhet të dërgohen për miratim propozimet ligjore, janë përgatitur edhe rregulloret për realizimin e masave që realizohen përmes Ministrisë së Ekonomisë. Bekteshi thotë se paga e tetorit për të punësuarit në ato subjekte që u dëmtuan nga pandemia, do të bëhet në kohë.
 
“Për masat tjera e presim  miratimin e rebalancit të shpallet në Gazetën Zyrtare dhe Ministrinë e Ekonomisë nesër do t’i publikojë të gjitha thirrjet  për të gjitha masat  që zbatohen  përmes resorit tonë. Të gjitha thirrjet publike janë përgatitur dhe në ditën kur do të kemi mundësi ligjore ne menjëherë do t’i publikojmë.”,- tha Bekteshi.
 
Shumica e masave do të jenë edhe online dhe të gjitha agjencitë turistike, udhëzuesit dhe sektoret tjera do të mund të aplikojnë përmes internetit. Ministria e Ekonomisë ndërkohë prezantoi edhe propozim Ligjin për Partneritet Publiko-Privat të përpiluar në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Mbretërinë e Bashkuar që ka si qëllim zhvillimin socio-ekonomik, rritjen e konkurueshmërisë, investimeve dhe zhvillimin teknologjik. Aktualisht në vend funksionojnë vetëm 30 partneritete publiko-private.
 
GAZMEND REXHEPI