Maqedoni

Propozim Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi, anëtarët e KÇE-së shqyrtuan amendamentet

21.10.2020 17:14

Komisioni për Çështje Evropiane pranë Kuvendit shqyrtoi amendamentet mbi Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi...

Komisioni për Çështje Evropiane pranë Kuvendit shqyrtoi amendamentet mbi Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi i cili ndodhet në procedurë parlamentare. Krahas kritereve dhe mandatit të anëtarëve të rinj debatin e ngjalli procedura e përzgjedhjes së tyre. Maja Moraçanin nga Ripërtëritja Demokratike kërkoi formimin e një komisioni për selektimin e kandidatëve që do të përbëhej nga përfaqësues të pushtetit opozitës dhe sektori civil.
 
“Një përbërje e këtillë e komisionit për selektimin e kandidatëve në të cilën krahas deputetëve do të kyçeshin edhe përfaqësues të sektorit civil do ta rritë transparencën dhe inkluzivitetin si dhe besimin e qytetarëve për gjithë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të komisionit.”,- tha Maja Moraçanin nga RDM.
 
Ministrja Shahpaska tha se zgjidhja ligjore siguron përzgjedhjen e anëtarëve kompetentë ndërsa të njëjtin sipas saj e kanë mbështetur 70 shoqata joqeveritare. 
 
“Mënyra se si është definuar zgjedhja e kandidatëve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtje nga Diskriminimi nuk e përjashton opinionin nga qasja se kush janë kandidatët dhe kompetencat e tyre. Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime në debat publik i shqyrton aplikimet e kandidatëve dhe në bazë të këtij debati jep propozim-listën e kandidatëve.”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Jagoda Shahpaska.
 
Por nga VMRO-DPMNE nuk besojnë se argumentet e parashtruara sigurojnë zgjedhjen e kandidatëve pa ndikim politik.
 
“Argumentet që parashtruat, plenum, opinion se do të na ndjekin, nuk garantojnë shumë. Selektimin do ta bëjë Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime dhe ai nuk është imun nga ndikimi politik dhe partiake. Le të prevenojmë diçka që nga fillimi.”,- theksoi Gordana Siljanoska nga VMRO-DPMNE.
 
Deputetja, Ilire Dauti, nga ASh kërkoi që edhe të diplomuarit me 180 kredi të kenë mundësinë e kandidimit por që anëtarët e komisionit e refuzuan.
 
“RMV nga viti 2005 e ka të pranuar konventën e Bolonjës sipas të cilës të diplomuar llogarit edhe ata të cilët kanë 180 kredi, prandaj në një propozim ligj të këtillë i cili duhet të jetë kundër diskriminimit dhe mbrojtjes kundër çfarëdo lloj diskriminimi do të ishte mirë që të mos i diskriminojmë ata të cilët janë të diplomuar dhe kanë 180 kredi.”,- u shpreh Ilire Dauti nga ASh. 
 
Propozim-ligji i ri për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, ishte miratuar në përbërjen paraprake parlamentare, ndërsa ishte anuluar nga Gjykata Kushtetuese për shkak të miratimit pa shumicën e nevojshme prej 61 deputetëve,dhe tani është sërish në procedurë parlamentare. 
 
NAIM RAMADANI