Në 2022 me tren Shkup–Tiranë
Treni i parë nga Kërçova për në Lin, Shqipëri, pritet të udhëtojë gjatë vitit 2022......

Projekti final do të hartohet brenda 18 muajve, ndërsa punët në terren do të fillojnë gjatë vitit 2018.
Përderisa në Maqedoni po përgatitet projekti final, Shqipëria është në një fazë më të avancuar. Pala shqiptare pret institucionet e Maqedonisë që të përfundojnë projektin final, që së bashku të aplikojnë për fonde. Bashkëpunimi mes dy vendeve për realizimin e këtij projekti u konkretizua me nënshkrimin e një memorandumi për bashkëpunim mes Hekurudhave shqiptare dhe Hekurudhave të Maqedonisë.
“Hekurudha Shqiptare, Ministria e Transportit dhe Qeveria shqiptare janë shumë të interesuar që kjo pjesë të fillojë dhe të implementohet. Pala maqedonase me vazhdimin e pjesës së vet, ndërsa Shqipëria me përfundimin e 2.8 km deri në lidhjen me Maqedoninë. Ndryshe, nga pala juaj Shqipëria ka tashmë projektin e përfunduar dhe pret vetëm të aplikojë për donacione në banka të ndryshme për përfundimin e tij”- deklaroi drejtori i SHA “Hekurudhat e Shqipërisë”, Genci Alizoti.
“Staza e parë ka të bëjë me rikonstruimin e korridorit tetë dhe ndërtimin e korridorit tetë në pjesën perëndimore. Siç e dini, para dy javë kemi nënshkruar një marrëveshje për projektin kryesor prej Kërçove, që do të lidhet me Shqipërinë në Lin. Kompania duhet në kohë rekorde prej 18 muaj të përfundon me projektin ndërtues kryesor, që ne pastaj të fillojmë me procedura të tjera, siç është shpronësimi dhe thirrja për ndërtimin e asaj pjese”- tha drejtori i NP “Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastrukturë”, Irfan Asani.
Palët do të bashkëpunojnë posaçërisht në pjesën hekurudhore të korridorit tetë, duke koordinuar aktivitetet, duke caktuar pikat e lidhjes në të dyja anët, si dhe do të bashkëpunojnë në përputhjen e sistemeve për sinjalizim, telekomunikim dhe atë të sigurisë në harmoni me rekomandimet e Unionit Ndërkombëtar të Hekurudhave. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
