LSDM: Nuk ka kohë të shtyhen masat mbrojtëse, VMRO-DPMNE: Janë ndryshime teknike, as për to s’kanë kuorum
LSDM vlerëson se situata me pandeminë Covid-19...

LSDM vlerëson se situata me pandeminë Covid-19 është tejet serioze e nuk ka kohë të shtyhet miratimi i masave për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, siç kërkoi një ditë më parë opozita.
Nga LSDM thonë se ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundjet Infektive duhet të miratohen në Parlament sa më shpejt të jetë e mundur.
“Nuk ka kohë për vonesa. Ndryshimet e propozuara duhet të miratohen sa më shpejt që të jetë e mundur, situata është serioze. Në një kohë kur numri i të infektuarve me Covid-19 është treshifror, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjithë të respektojnë vazhdimisht masat e mbrojtjes. Objektet spitalore po mbushen me shpejtësi. Pranimi i pacientëve në spitalin modular në Klinikën Infektive në Shkup filloi dje. Secili prej nesh është i rëndësishëm në këtë betejë.”,- tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Por, VMRO-DPMNE thotë se ligji i propozuar nuk parasheh masa specifike për të luftuar pandeminë dhe për të forcuar kapacitetin e institucioneve. Thonë se pushteti më lehtë e ka të kërkojë fajtor te opozita sesa të marrë parasysh propozimet e tyre.
“Ne propozuam që Komisioni të ketë 11 anëtarë, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë dhe drejtorin e Qendrës së Menaxhimit të Krizave, 3 specialistë infektologë, 2 epidemiologë, 2 mikrobiologë, një imunolog dhe një specialist internist. Për zhgënjimin tonë, kjo ide nuk u pranuan nga ministri i Shëndetësisë. Është e qartë se ministri, ndryshe nga shumica e opinionit, ende ka besim te këshilltarët e tij në Komision të kryesuar nga dr. Karaxhovski, të cilin ne e konsiderojmë si pjesërisht përgjegjës për masat shumë të parakohshme ose shumë të papërshtatshme të marra në 5 muajt e kaluar.”,- tha Antonio Miloshoski nga VMRO-DPMNE.
VMRO thotë se seanca për ndryshimet ligjore nuk po shtyhet për faj të tyre, por sepse pushteti nuk e ka kuorumin e nevojshëm në Parlament. Paralajmëruan se do të mundësojnë kuorumin e do të lejojnë që ligji të miratohet, por do të abstenojnë. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
