Maqedoni
Respektimi i masave, 2.183 kontrolle nga inspektorët në vetëm një javë
21.10.2020 18:20
Edhe përkundër masave, vazhdon të jetë i lartë numri i subjekteve gastronomike të lokaleve që i shkelin ato....

Edhe përkundër masave, vazhdon të jetë i lartë numri i subjekteve gastronomike të lokaleve që i shkelin ato. Mbi 2 mijë inspektime të kryera javën e fundit, treguan se qindra subjekte shkelën masat edhe përkundër faktit se gjobat janë të larta, madje ato shoqërohen edhe me pezullimin e veprimtarisë.
“Në periudhën prej 12 deri më 18 tetor, inspektorët e 6 njësive të Inspektimit kanë kryer gjithsej 2.183 inspektime, ku numri i vendimeve dhe gjobave për mosrespektimin e protokolleve lëshuar arrin me qindra. Respektimi i protokolleve të miratuara nga Qeveria, nga biznesmenët, por edhe nga qytetarët është thelbësore në trajtimin e virusit Korona. Jemi para një sfidave të madhe dhe kemi përgjegjësi si qytetar.”,- tha kryetarja e Këshillit të Inspektimit, Magdalena Filipovska-Grashoska.
Por, as qytetarët e as pronarët e lokaleve nuk e ndjejnë përgjegjësinë. Dasmat, festat e ndryshme që organizohen në lokale, parqe e objekte familjare, po kthehen në faktor të rëndësishëm për rritjen e shifrave Covid.
“Vetëm në Manastir janë lëshuar 7 kallëzime penale ndaj pronarëve të objekteve hotelierike të cilët nuk kanë respektuar protokollet, po ashtu dy dasma janë ndërprerë dhe janë lëshuar kallëzime penale, ka objekte të cilat nuk janë të regjistruara, por organizojnë festa për të rinj.”,- tha drejtori i Inspektoratit të Tregut, Stojko Paunovski.
Nga 1180 kontrolle e Inspektoratit Shtetëror të Tregut janë lëshuar 52 vendime dhe 76 urdhëresa për kundërvajtje. Aktualisht, ligji nuk u mundëson inspektorëve të mbyllin lokalet që shkelin protokollet dhe pronarët kalojnë lehtë. Inspektorati pret ndryshimet ligjore sipas të cilave inspektorët do të kenë të drejtë të mbyllin menjëherë objektet që shkelin rregullat.
FITIM KRYEZIU
