Analistët: Zaev të tregojë provat, mjaft vetëm fjalë

07.11.2014 17:39

Paralajmërimet e liderit të partisë opozitare më të madhe maqedonase, Zoran Zaev, se ka prova komprometuese që do ta detyronin kryeministrin, Nikolla Gruevski, për tre ditë të japë dorëheqje, analisti, Ibrahim Mehmeti, i vlerëson si vepra të një partie e cila gjendet në pragun e mbijetesës........

Partitë vetë vlerësojnë se a është e dobishme të veprojnë brenda ose jashtë kuvendit, por nëse ka fakte të cilat do të dridhnin qeverinë dhe opinionin, ato duhet të publikohen, shprehet Mehmeti.

“E shohim që forca e saj është tejet e dobët, qoftë në parlament qoftë jashtë tij. Sipas meje, ajo përpiqet, në këtë mënyrë tenton të tërheq vëmendjen e opinionit, mirëpo do të ishte shumë më mirë nëse ai dhe partia e tij do t’i shpallnin këto fakte dhe opinione, do të mund të diskutonte se sa janë të vërteta ose të pavërteta, sepse ky rasti i fundit tingëllon shumë tërheqës për analizë dhe spekulime, ngase bëhet fjalë për raportet ndëretnike. Do të ishte mirë që të shpallen ato fakte që do të tronditnin qeverinë ose opinionin në përgjithësi”- deklaroi analisti politik, Ibrahim Mehmeti.

Veprimet e partive politike kanë ndikim shumë të madh në nxitjen ose zbutjen e tensioneve ndëretnike, thotë Mehmeti, prandaj duhet të kenë kujdes me planet e tyre të veprimit.

“Atë që partitë politike e promovojnë nëpërmjet politikave të tyre në kuvend ose jashtë tij, kanë ndikim shumë të madh në nxitjen ose zbutjen e tensioneve ndëretnike dhe këtu gjithsesi rolin kryesor e ka qeveria dhe partitë që e kanë shumicën. Por, në të njëjtën kohë edhe opozita e ka rolin dhe përgjegjësin e vetë, sepse opozita, nëse marrim në përgjithësi atë maqedonase dhe shqiptare, megjithatë kanë një numër jashtëzakonisht të respektueshëm të votuesve. Nuk është një opozitë ekstreme margjinale, por është opozita kryesore dhe duhet ta kenë parasysh se ata mund të ndikojnë qoftë pozitivisht qoftë negativisht”- tha Mehmeti.

Analisti, Ibrahim Mehmeti, është i mendimit se nëse LSDM-ja dëshiron veprim të suksesshëm, atëherë medoemos duhet të shqyrtojë mënyrat e bashkëpunimit me opozitën shqiptare, sepse opozita duhet të bashkëveprojë ashtu si pozita. (Sanije Kasami, TVM2)