Konstandini braktiset nga prindërit
72 orë pas masakrës së katërfishtë, autori, Kostandin Xhuvani, ka folur vetëm pak fjalë para gjykatës, duke mos e pranuar autorësinë e vrasjes së katërfishtë dhe duke kërkuar avokatin e tij......

“Më lini rehat, nuk e kam idenë për cilat vrasje flisni. Nuk di gjë. Kur ka ndodhur ngjarja unë isha te “Brryli” për të blerë duhan. Vetëm kur u ktheva në lokal pashë të vrarët”- u shpreh autori i vrasjes së katërfishtë, Kostandin Xhuvani.
Por, avokati, Ardian Leka, nuk është paraqitur në seancë që ta mbrojë, ndaj gjykata i ka caktuar vetë një avokat Xhuvanit. 26 vjeçari është braktisur edhe nga familja e tij, ish-deputetja, Luiza Xhuvani dhe regjisori i njohur, Gjergj Xhuvani, të cilët nuk kanë qenë të pranishëm në ambientet e gjykatës.
Avokatët mbrojtës të të dy të pandehurve, Konstandin Xhuvanit dhe Erald Sidas, kërkojnë që gjykata të marrë parasysh deklarimet se në momentin e vrasjeve Xhuvani dhe Sida nuk kanë qenë të pranishëm në lokal.
"E refuzuan shumë avokatë, por është e drejta e çdo avokati mbrojtës që të mbrojë një person", tha avokati i Xhuvanit, Violent Çoniku.
"Erald Sida ka qenë në vendin dhe momentin e gabuar në vendngjarje. Sida ka ndihmuar viktimën, Arbër Demirajn, për ta hipur në makinë dhe dërguar në spital. Sida nuk e ka parë ngjarjen dhe autorin e krimit", tha avokati i Sidas, Vladimir Gërmenji.
Gjykata vendosi sot arrest me burg ndaj të pandehurve, Xhuvanit dhe Sidas. Ata do të qëndrojnë në paraburgimin 302 ditë deri në përfundim të hetimeve nga prokuroria, e për t’u përballur më pas në Gjykatën Penale me procesin gjyqësor. (Luljeta Ndoka, TVM2)
