Maqedoni

Shilegov: Qyteti dëshiron kontrollin e inspektorëve

22.10.2020 14:58

Qyteti i Shkupit është i gatshëm të marrë kompetencat e të gjitha inspektimeve sa i përket pushtetit lokal...

Qyteti i Shkupit është i gatshëm të marrë kompetencat e të gjitha inspektimeve sa i përket pushtetit lokal. Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, deklaroi se po përgatitet marrëveshja që deri në fund të këtij muaji të nënshkruhet së bashku me dhjetë komunat e kryeqendrës. Me këtë marrëveshje synohet centralizimi i inspektorateve në qytetin e Shkupit. 

“Unë personalisht së bashku me 10 kryetarët e komunave në territorin e qytetit të Shkupit, e kemi diskutuar shumë herë deri më tani dhe kemi kërkuar zgjidhje efikase dhe që do të japin rezultate, që do të nënkuptonin respektim maksimal të ligjeve ndaj të gjithëve që jemi të obliguar të kryejmë inspektimin. Në rrjedhë e sipër është harmonizimi i qëndrimeve që do të rezultojë me propozim përfundimtar. Qëllimi i kësaj është të shmangen rastet ku dikush mund të mendojë ose të fillojë të ndërtojë pa leje në Qendër të Shkupit, siç ishte rasti ndërtimin pa leje te Qendra Tregtare “Mavrovasja”.”,- tha kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.
 
Sektori joqeveritar: Inspektorët ndjehen të pasigurt
 
Por, në bazë të një hulumtimi të sektorit joqeveritar, rreth 55% e qytetarëve në Shkup mendojnë se puna e inspektorateve varet nga vullneti i kryetarëve. 
 
“Nuk ka kuadër të mjaftueshëm kualitativ, nuk ka mjaftueshëm inspektorë, njerëzit nuk dëshirojnë të jenë inspektorë, sepse ndjehen të pasigurt, të paguar pak, nuk ka pajisje të mjaftueshme teknike.”,- tha Biljana Bejkova nga OJQ Infoqendër.
 
Po ashtu anketat e sektorit joqeveritar kanë konstatuar se rreth 42% e qytetarëve mendojnë se një nga dobësitë më të mëdha të funksionimit të pushtetit lokal janë shërbimet komunale të cilat në masë të madhe varen nga vullneti i kryetarëve. 
 
SEDAT SELIMI