Maqedoni

Shkurtimi i orarit për sektorin e gastronomisë, pronarët: Presim ndihmë ekonomike nga Qeveria

22.10.2020 15:13

Njëra prej masave të reja të qeverisë për mbrojtje të përhapjes së virusit është dhe shkurtimi i orarit...

Njëra prej masave të reja të qeverisë për mbrojtje të përhapjes së virusit është dhe shkurtimi i orarit të punës së gastronomisë, përkatësisht lokalet dhe restorantet do të punojnë deri në orën 23:00.  Kjo masë nuk do të vlejë për lokalet që kryejnë shërbime me porosi. Pronarët e lokaleve thonë se çdo masë e sjellë nga qeveria e që është në dobi të qytetarëve do të respektohet, por që efektet negative në biznesin e tyre presin të ndihmohen nga qeveria. Pronarët shprehin shqetësim se masat mund të ndikojnë në mbylljen e tërësishme të biznesit dhe apelojnë te autoritet që t’u ndihmohet me subvencione.
 
“Protokolli nuk është aq problem sa është orari i punës, në këtë rast për ne si restorant nuk është aq problem sepse pas orës 23:00 nuk ka klientë aq shumë. Orarin pak më të shkurtër e kemi problem që ndoshta do të shkurtohet më shumë si që ka qenë më herët ashtu edhe pati filluar prej orës 23:00 pastaj deri në 18:00, e kjo gjë na frikëson. Subvencione ka pasur shumë pak vetëm 20 për qind. Me orar më të shkurtuar kemi dhe ne më pak buxhet, prandaj duhet që shteti të na dalë në ndihmë.”,- deklaroi një pronar i një restoranti.
 
“Ulje në biznes do të ketë, është gjë normale, por çfarëdo që sjell shteti do të respektojmë dhe sigurisht që këto masa do të jenë në mirë të popullit. Ndikojnë negativisht, por sa do të ndikojë nuk e di. Nëse nuk ka subvencione është vështirë të ekzistojmë.”,- tha një pronar i një restoranti. 
 
“Biznesi ynë që është në sektorin e hotelerisë, sigurisht që ka efekt negativ nga shkurtimi i orarit të punës. Nëse është në të mirë të qytetarëve do ta respektojmë, por shpresojmë që të mos kemi një periudhë që do të sillen masa më rigoroze. Nëse situata vazhdon të përkeqësohet, do të duhet që të shkurtojmë edhe vendet e punës, por ndoshta do të mund të vijmë në situatë ku do ta kemi të detyrueshëm mbylljen e biznesit. Kemi shfrytëzuar subvencionet e pagave nga qeveria, subvencione të tjera deri më tani nuk kemi shfrytëzuar.”,- theksoi një pronar i një restoranti. 
 
Nga Qeveria pritet që të miratohet rebalanci i buxhetit, me çka mundësohet  realizimin i pakos së 4 ekonomike, ku parashihen mjete që do t’i dedikohen sektorit të gastronomisë për të tejkaluar pasojat e pandemisë. 
 
GAZMEND REXHEPI