Arrestohet i riu maqedonas, vendosi flamurin e GRI-së

07.11.2014 17:47

Nuk është rastësi që sot njerëzit dyshojnë kur dikush paraqitet si grup i uniformuar që lufton për të drejta etnike.....

Ministria e Brendshme ka arrestuar djaloshin i cili disa ditë më parë kishte lajmëruar organet policore se është ndalur dhe legjitimuar nga persona të uniformuar të cilët i ka quajtur si “Garda e Iliridës”.

Nga Ministria Brendshme njoftojnë se 18 vjeçari, Kristijan S., para dy ditësh para Bashkësisë Lokale në fshatin Inxhikovë të Shkupit nga shtiza ka ulur flamurin e Maqedonisë dhe në vend të tij ka ngritur një pëlhurë të zezë. 

“Personi është paraqitur për vepër penale “paraqitje të rrejshme”, sepse më 1 nëntor ka lajmëruar se është ndalur nga “Garda e Iliridës” dhe se është legjitimuar në lagjen Çento. Më pas është konstatuar se bëhet fjalë për paraqitje të rrejshme. Pas kontrollit në Inxhikovë, është vërtetuar se në shtizë është varur një pëlhurë e zezë, ndërsa paraprakisht është ulur flamuri i Maqedonisë. Në hapësirat e Bashkësisë Lokale të Inxhikovës është shkruar “Garda e Ilirides”- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

MPB-ja po kryen ekspertizat e nevojshme për të identifikuar autorin e grafiteve, ndërsa kundër 18 vjeçarit, Kristijan S., kanë paralajmëruar padi penale për veprën “nxitje të urrejtjes nacionale, racore dhe fetare”. (Naim Ramadani, TVM2)