Maqedoni

Rebalanci i buxhetit, vazhdoi debati për amendamentet e opozitës

22.10.2020 15:29

Vazhdoi debati për rebalancin e buxhetit, duke u refuzuar amendamentet e VMRO-DPMNE-së...

Vazhdoi debati për rebalancin e buxhetit, duke u refuzuar amendamentet e VMRO-DPMNE-së me një përjashtim të iniciativës për riparimin e urës në komunën e Gradskos. Dominuan amendamente për përmirësim të infrastrukturës, që sipas zëvendësministrit të financave, Dimitar Kovaçevski, s’mund të realizohen deri në fund të vitit. Kjo qasje u kritikua nga deputetët e VMRO-DPMNE-së.
 
“Për një pjesë të amendamenteve jap sqarime të detajuara, për një pjesë tjetër nuk jap sqarime pasi që shumat janë tejet të mëdha që të mund të parashikohet se mund të nisin ¬çfarëdo realizimi gjatë periudhës që vijon deri në fund të vitit.”,- tha zëvendësministri i financave, Dimitar Kovaçevski.
 
“Pres që qeveria këto probleme të qytetarëve të cilat po stërzgjaten më shumë vite, do të arrijë t’i vë në buxhet i cili do të vijë shumë shpejt dhe mos të nxirremi me amendamente të cilat tanimë gjashtë vite me radhë po i dorëzojmë.”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
 
Përplasjet vazhduan edhe midis deputetëve pas pretendimeve të opozitës se Qeveria aktuale nuk ka arritur të realizojë asnjë projekt të sajin.
 
“Më vjen shumë mirë që pranoni se VMRO–DPMNE kishte aq shumë projekte të nisura dhe shpresoj se do t’i përfundoni. Në të vërtetë kohët e fundit vetëm këtë bëni. Po preni shirit në treg i cili është hapur në kohën e VMRO–DPMNE-së dhe nuk arrini dot të përfundoni magjistrale të nisura gjithashtu në kohën e VMRO–DPMNE-së.”,- deklaroi deputetja e VMRO–DPMNE-së, Lidija Petkovska.
 
“Nuk pajtohem se asgjë nuk është punuar. Duhet shumë të investohet. Gjithçka që është nisur nga qeveria paraprake, asnjë projekt nuk është stopuar, pse? Sepse as VMRO e as LSDM nuk ndërtojnë rrugë. Ndërtimi vazhdon pasi ajo infrastrukturë na nevojitet.”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Dime Vellkovski.
 
Pritet që rebalanci i arkës shtetërore të shtrohet në seancë plenare më 27 tetor pas shterjes së debatit për dhjetë ditë rrjeshtazi në Komisionin për Financa dhe Buxhet.
 
MERAL ISMAILI