Maqedoni

S’ka dakordësi për Ligjin për Sëmundje Infektive, Xhaferi: Mund të jetë në seancën e 27 tetorit

22.10.2020 15:48

Masat e reja për mbrojtje nga virusi Covid-19, të propozuar nga Komisioni për Sëmundje Infektive...

Masat e reja për mbrojtje nga virusi Covid-19, të propozuar nga Komisioni për Sëmundje Infektive, nuk mund të zbatohen pavarësisht situatës së rënduar të epidemisë. Përgjegjësia mbetet te deputetët, të cilët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Mbrojtje të Popullatës nga Sëmundje Infektive. Kryeparlamentari Talat Xhaferi thotë se ligji që duhej të ishte në rend dite që më 20 tetor, mund të jetë në seancë plenare më 27 tetor, nëse grupet parlamentare arrijnë pajtim në koordinimin e së hënës.
 
“Në koordinimin, ditën e hënë, do të mund të koordinohemi që, po qe se kanë pajtueshmëri, në seancën e 27 tetorit të mund të gjendet në rend dite. Ligji, duke pasur parasysh faktin që është në procedurë të shkurtuar, për atë duhet të prononcohet Parlamenti. Bazuar në procedurat pas atij vendimi pika të gjendet në rend dite dhe të shqyrtohet paraprakisht në komisionet përkatëse.”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Micevski: Komision të ri, ose abstenojmë
 
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, deklaroi se deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit sa për të mundësuar kuorum, por do të votojnë të përmbajtur për propozim ligjin nëse nuk pranohet kërkesa e tyre për formimin e një komisioni të ri.
 
“Ajo që propozon VMRO-DPMNE është formimi i Komisionit Shtetëror për Mbrojtjen e Popullatës nga Sëmundjet Ngjitëse. Komisioni i cili me propozim të Qeverisë do të vijë në Kuvend dhe të zgjidhet me 61 vota. Mendojmë se ky Komisionin do të ishte më i qëndrueshëm dhe rekomandimet dhe masat që do t’ia propozojnë qeverisë do të na shpëtojë nga fiaskoja që po ndodh në shtet.”,- u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
 
Kuzeska: Edhe një obstruksion i radhës i VMRO-së
 
Sipas LSDM-së, kërkesa e VMRO-DPMNE-së për formimin e një komisioni të ri është e paqëndrueshme dhe është vazhdim i qasjes destruktive në përballjen me epideminë.
 
“Përpjekja e VMRO-DPMNE-së që të bllokojë miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Mbrojtjen e Popullatës nga Sëmundjet Ngjitëse, është edhe një obstruksion i radhës që kur është shpallur pandemia me Covid-19. Kjo sjellje joserioze e Mickovskit dhe VMRO-DPMNE-së është në dëm të shëndetit të qytetarëve.”,- deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
 
Për dallim nga VMRO-DPMNE, LSDM konsideron se Komisioni aktual është i përbërë nga profesionistë të dëshmuar në shëndetësi, prandaj nuk ka nevojë për formimin e një komisioni paralel. 
Ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për mbrojtje të popullatës nga sëmundje infektive, sipas të gjitha gjasave do të jetë në rend dite në seancën e caktuar për më 27 tetor, kur pritet të kthehen në punë edhe dy deputetët e infektuar, Taneski dhe Jahoski.
 
SHPËTIM NUREDINI