Botë
Covid-19, në rajon dhe botë rritet numri i të infektuarve
22.10.2020 19:18
Ka vazhduar rritje e numrit të personave të prekur nga virusi korona në të gjitha vendet e Ballkanit...
Në Shqipëri brenda 24 orëve janë regjistruar tre viktima dhe 302 raste të reja. Në Kosovë nuk ka pasur viktima ndërsa janë shënuar 159 raste të reja.
Në Bosnjë-Hercegovinë 14 persona kanë humbur jetën nga virusi korona. Është raportuar se 926 persona janë infektuar, shifra më e lartë e regjistruar deri tani në këtë vend.
Më shumë se 1.600 raste të reja të koronavirusit janë konfirmuar në Slloveni, për shkak të numrit të lartë të të infektuarve, shtrëngohen masat duke u vendosur ora policore. Greqia regjistroi 865 infektime të reja nga koronavirusi, niveli më i lartë ky i rasteve ditore në shtetin fqinj që nga fillimi i pandemisë.
Brenda 24 orësh, shifrat e të prekurve nga Covid-19, u rritën me gati 200. U njoftua edhe për 6 viktima. Qeveria greke, dy qytetet, Kosurin dhe Kozanin, i vendosi në izolim. Spanja dhe Franca janë dy vendet e para europiane që kanë kaluar pragun e 1 milion të infektuarve nga virusi korona.
Madridi raportoi mbi 1 milion e 5 mijë të prekur gjithsej, ndërsa 575 vdekje të reja, duke e çuar mbi 34,300 bilancin tragjik në vend. Qytetet e mëdha franceze po e aplikojnë shtetrrethimin prej disa ditësh. Situatë e rënduar paraqitet edhe në Gjermani, ku u shënuan 10 mijë raste të reja pozitive me Covid-19.
Vala e infeksionit u përplas gjatë ditës në Holandë, në Poloni dhe në Britaninë e Madhe, por më me shpejtësi vazhdon të përhapet në Republikën Çeke ku shumica e dyqaneve dhe shërbimeve janë pezulluar tashmë. Rekorde të reja ditore po regjistron edhe Italia.
Rajoni i Lacios dhe Roma raportohet se nga e premtja do vendosin ndalimqarkullimin me orar, nga mesnata deri në orën 5 të mëngjesit.
Kontinenti europian në total numëron mbi 6 milion të diagnostikuar me COVID 19, ndërsa në 220 mijë humbje jete. 5 shtetet e vetme që e kanë kaluar deri tani pragun e 1 milion të infektuarve janë SHBA-ja, India, Brazili, Rusia dhe Argjentina.
FARIJE DAUTI BAKIJU
