Eskalon sërish situata në Jerusalem

07.11.2014 17:54

Ka eskaluar situata në Jerusalem pas lutjes të së premtes kur palestinezët hodhën gurë mbi policinë që kishte ngritur barrikada që në mëngjes në hyrjen “Porta e Damaskut” të qytetit të vjetër të Jerusalemit, për t’i paraprirë trazirave të mundshme........

Policia gjuajti me bomba-tymi dhe gaz-lotsjellës kundër protestuesve. Lajmërohet për 7 të lënduar mes protestuesve palestinezë.

Tensionet u ngritën pikërisht prej pengimit të kalimit të lirë nga ana e policisë izraelite, e cila thotë se kjo masë sigurie u ndërmor pas problemeve të shfaqura në “Malin e Tempullit” apo “Haram al-Sharif”.

Megjithatë, disa prej kufizimeve janë lehtësuar gjatë ditës, duke qenë se forcat izraelite lejojnë të gjithë burrat mbi 35 vjeç dhe të gjitha gratë të hyjnë në vendin e lutjeve. Policia izraelite u përplas edhe të mërkurën me të rinj palestinezë në vendin e shenjtë, duke lënë më shumë se 15 persona të plagosur.

Ajo ditë shënoi përplasjet e fundit që kur aktivisti izraelit, rabini Yehuda Glick, u plagos rëndë teksa kërkonte më shumë të drejta për hebrenjtë në vendin ku hebrenjtë mblidhen, por nuk luten. Policia izraelite qëlloi për vdekje një të dyshuar për sulmin ndaj Glick.