Trump dhe Biden përballen në debatin e fundit

23.10.2020 10:18

Kandidati demokrat Joe Biden....

Kandidati demokrat Joe Biden përsëriti akuzat e tij ndaj Presidentit Trump lidhur me reagimin ndaj pandemisë në debatin e dytë dhe të fundit mes dy kandidatëve për president.

“Kushdo që është përgjegjës për një numër kaq të madh vdekjesh nuk duhet të vazhdojë të jetë president i SHBA,” tha Biden.

“Nuk di gjë që jemi në prag të një dimri të errët. Ne po e rihapim vendin. Kemi mësuar, e kemi studiuar dhe e kuptojmë këtë sëmundje,” u përgjigj Trump.

Ai  akuzoi rivalin Biden se synon të mbyllë vendin dhe aktivitetin ekonomik në përgjigje të pandemisë nëse bëhet president.

Ish-nënpresidenti Biden fajësoi presidentin se nuk merr përgjegjësi për pandeminë. Pas debatit mbi pandeminë, dy kandidatët u përplasën lidhur me akuza të ndërsjellta për lidhje të dyshimta me interesa të huaja.

Kandidatët shkëmbyen akuza edhe për kujdesin shëndetësor, politikat ndaj Kinës dhe, pas protestave që vazhdojnë prej muajsh dhe për marrëdhëniet racore në vend. Debati i transmetuar në shkallë kombëtare, u zhvillua në Neshville të shtetit Tenesi dhe ishte mundësia e fundit për dy kandidatët për të dalë përballë njëri-tjetrit në përpjekje për të shpjeguar politikat e tyre dhe përgjigjen ndaj pandemisë që deri tani ka shkaktuar mbi 221 mijë viktima në SHBA dhe ka goditur rëndë ekonominë.