Masat ndaj Covid-19, përplasje mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së
Masat anti-Kovid vazhdojnë të përplasin pushtetin dhe opozitën...

Masat anti-Kovid vazhdojnë të përplasin pushtetin dhe opozitën. Fillimisht, përmes një kumtese, VMRO-DPMNE akuzoi pushtetin se me paaftësinë e tij, po shton numrat e të infektuarve dhe se ka politizuar Komisionin për Sëmundje Infektive, i cili nuk ka asnjë plan konkret për të mbrojtur qytetarët.
1 miliard borxhe për tejkalimin e pasojave të pandemisë mbi ekonominë, mbi 40 mijë njerëz mbetën pa punë si dhe familje të tëra me të ardhura më të zvogëluara, akuzojnë nga VMRO. Edhe lideri i opozitës maqedonase akuzoi Qeverinë se më shumë paguan për projektet e për gomerët se për shëndetin e njerëzve.
“Kemi të bëjmë me një qeveri për të cilën gomerët janë më të kushtueshëm se jeta e njerëzve. Nuk është vetëm Lidija Dimova e cila është përgjegjëse për çështjet e gomerëve të Zoran Zaevit. Qeveria është në fazën e shkatërrimit bizantin, sepse në të gjithçka është fiktive ashtu siç është fiktive edhe ora.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.
U kundërpërgjigj LSDM. Në kohën kur vendi po përballet me valë të re të virusit, VMRO-DPMNE sërish bën gjithçka që të shtyjë miratimin e masave anti-Kovid në Parlament. Madje, akuzojnë kreun e opozitës maqedonase se në kohë pandemie organizon protesta për të ruajtur postin e tij, duke rrezikuar jetën e mbështetësve të partisë.
“Në kohën kur ballafaqohemi me valën e re të virusit Korona në vjeshtë, Mickovski vazhdon të sillet i papjekur dhe të jetë kërcenim për shëndetin publik. Në Kuvend deputetët e VMRO-DPMNE-së e pengojnë sjelljen e Ligjit për Mbrojtje e Popullatës nga Sëmundje Ngjitëse. Po mbajnë tubime të hapura ku rregullisht po shkelen masat për mbrojtje nga COVID-19.”,- tha Stefan Vasev nga LSDM.
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundjet Ngjitëse, Rebalanci i Buxhetit dhe Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi pritet që të jenë në rend të ditën në seancën e caktuar për më 27 tetor. (Florije Beluli Kamberi,TVM2)
