Dita e Luftës Revolucionare, festime në kushte pandemie, mesazhe solidariteti
Republika e Maqedonisë së Veriut shënon 23 tetorin....

Republika e Maqedonisë së Veriut shënon 23 tetorin - Ditën e Luftës Revolucionare Maqedonase. Shënimi i kësaj feste shtetërore u bë duke respektuar protokollet për parandalimin dhe mbrojtjen nga koronavirusi, për shkak të pandemisë me Kovid-19. Kreu i shtetit Pendarovski, ai i parlamentit, Xhaferi, dhe kreu i ekzekutivit, Zaev, në mesazhet e tyre përkujtuan luftën e revolucionarëve, që si synim që atëherë kishin Europën.
“Këto ishin ideale për një republikë të lirë maqedonase, bazuar në parimet demokratike, në të cilën do të ketë bashkëjetesë midis bashkësive të ndryshme etnike, fetare dhe gjuhësore. Ata u ndoqën nga Ilindenasit dhe antifashistët që luftuan për lirinë dhe shtetësinë tonë.”,- thuhet në urimin e presidentit Pendrovski, duke shtuar se në këto kushte pandemie, vendit i duhet solidaritet. Vetëm nëse kujdesemi për njëri-tjetrin, vetëm nëse shteti kujdeset për secilin qytetar të tij, do të ketë shpresë për Republikën e Maqedonisë së Veriut, tha Pendarovski.
“Historia bashkëkohore na vë në sprova të cilat ndalen para nesh në rrugën e përmbushjes së qëllimeve tona strategjike dhe synimit të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për një shtet bashkëkohor, stabil, të suksesshëm, i cili siguron jetë të mirë, cilësore dhe mirëqenie për qytetarët e vet të cilët janë pjesëmarrës aktivë në ndryshimet pozitive.”,- thuhet në urim e kreut të Kuvendit, Xhaferi.
“Me krenari kujtojmë revolucionarët maqedonas, të cilëve u përulemi dhe nderojmë sakrificën e tyre, çelikun e palëkundur dhe vullnetin e pathyeshëm për liri, drejtësi, barazi, pavarësi dhe shtetin tonë.”,- ka deklaruar Zaev.
Në këtë ditë, në përmendoren e Goce Dellçevit, kurora lulesh u vendosën nga delegacionet e larta të presidencës, qeverisë dhe institucioneve. (Naim Ramadani, TVM2)
