Maqedoni
Takimi Zaev-Hoti, Zaev: E presim Kosovën në nismat rajonale
23.10.2020 17:41
Marrëdhëniet e mira mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të përforcohen me marrëveshje të reja bashkëpunimi...

Marrëdhëniet e mira mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të përforcohen me marrëveshje të reja bashkëpunimi dhe lidhje të reja infrastrukturore. Veç autostradës së premtuar Shkup – Hani i Elezit dhe pikëkalimit të përbashkët, dy vendet po shqyrtojnë mundësinë për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren si dhe lidhjen e Kosovës me gazsjellësin në Shkup.
Planet dhe marrëdhëniet mes dy vendeve u shqyrtuan gjatë vizitës së kryeministrit kosovar, Avdullah Hoti, në Shkup. Zaev dhe Hoti ranë dakord se marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe nismat rajonale për bashkëpunim sigurojnë stabilitetin në rajon dhe ndihmojnë vendet në rrugën drejt integrimit euroatlantik.
“Çdo avancim i marrëdhënieve mes fqinjëve sjell stabilitet dhe prosperitet për gjithë rajonin prandaj përshëndesim marrëveshjen për normalizim e marrëdhënieve ekonomike mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që u arrit në Uashington. Presim që Kosova të bashkëngjitet edhe në bashkëpunimin e përforcuar rajonal të cilin e kryesojnë Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia që karakteri i saj inkluziv të jetë prioritet për rajonin pavarësisht çështjeve të hapura politike.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Hoti: Të konkretizojmë nismat në Samitin e Sofjes
Kryeministri kosovar, nga ana tjetër, përgëzoi kryeministrin Zaev për avancimin e madh që ka bërë vendi drejt integrimeve evropiane dhe në zhvillimin e nismave rajonale, në të cilat edhe Kosova është e interesuar që të bashkëngjitet.
“Unë pres që Samiti i Sofjes, i cili organizohet bashkë nga ju dhe nga Bullgaria, dhe për të cilin ju përgëzoj, të jetë një sukses për rajonin, me kontributin tuaj, duke i konkretizuar disa nga nismat rajonale, të cilat ju i keni filluar në mandatin e kaluar, por tash mund t’i konkretizojmë dhe t’i çojmë përpara së bashku si rajon, mbi baza plotësisht të barabarta si vende të Ballkanit Perëndimor.”,- tha kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti.
Kryeministrat e dy vendeve deklaruan se po punojnë fuqishëm për realizimin e seancës së përbashkët qeveritare ku ndër të tjera do të analizohen rezultatet e 40 marrëveshjeve të nënshkruara mes Shkupit dhe Prishtinës.
Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Shkup, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u prit edhe kryepralamentari, Talat Xhaferi, ndërkaq u takua edhe me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.
SHPËTIM NUREDINI
