Aleanca për Shqiptarët, të dorëhiqet kryetari i Komunës Qendër, Bogdanoviq
Aleanca për Shqiptarët kërkon dorëheqjen e kryetarit të Komunës Qendër të Shkupit, Sasha Bogdanoviq...

Aleanca për Shqiptarët kërkon dorëheqjen e kryetarit të Komunës Qendër të Shkupit, Sasha Bogdanoviq, pasi siç thonë nga kjo parti ai vazhdon me provokimet e tija ndaj një realiteti të pakontestueshëm siç është Kosova e Pavarur.
“Ky serbofil që sheh ëndrra me sy hapur, harron se është kryetar i Komunës Qendër të Shkupit, kryeqytetit të një vendi që ka pranuar dhe ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran dhe është i obliguar t’i respektojë vendimet e Qeverisë, Kuvendit por edhe Kushtetutën e vendit”, thuhet në njoftimin e ASH-së.
Bogdanoviq, shtojnë nga ASH, është i obliguar ta respektoj Kushtetutën e vendit të tij para se ta flasë për Kushtetutë ne Serbisë.
“E përkujtojmë Bogdanoviqin se edhe me Ligjin e Kushtetutës të cilin e propozoj dhe e inkorporoj ASH në ndryshimet kushtetuese Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht kufizohet me Republikën e Kosovën. Bogdanoviq me deklaratën e tij tregon se nuk e respekton Kushtetutën e vendit dhe si i tillë nuk është i denjë për të udhëhequr me një Komunë prandaj duhet te jap dorëheqje menjëherë”, thuhet në njoftimin e ASH-së.
“Bogdanoviq me deklaratën e tij bie ndesh me shumicën absolute të shteteve të BE dhe të SHBA të cilët e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe Sovran. Ftojmë partinë e tij LSDM të deklarohet se a pajtohet me deklaratat e Bogdanoviqit? Në qoftë se jo, të njëjtit t’i kërkojë të dorëhiqet!”, - thuhet në reagimin e ASH-së.
