SHBA, ISIS po tërhiqet

07.11.2014 12:20

Për Shtetet e Bashkuara, sulmet ajrore ndaj bazave të ISIS-it në Siri dhe Irak po japin rezultate të dëshiruara......

Gjenerali, Lloyd Austin, i cili drejton operacionin kundër xhihadistëve, tha për “CNN” se bombardimet ajrore synojnë të shkatërrojnë logjistikën ushtarake të grupit terrorist.

“Jam i bindur që i kemi rezultatet e pritura në Irak dhe Siri.  Synimi ynë ka qenë dhe është të heqim mundësitë e armikut për të komanduar dhe kontrolluar në zonat ku shtrihen, mundësinë për të lëvizur trupat nga njëri rajon në tjetrin, sidomos nga Siria në Irak”- tha Austin.

Gjenerali konfirmoi sulmet e ajrore të një dite më parë kundër një grupi të njohur si “Khorasan”, që besohet se ka lidhje të forta me “Al Kaedan”.

“Ata kanë frikë që të grupohen në formacione të mëdha, sepse e dinë që ne i shohim dhe i vëmë menjëherë në shënjestër”- tha Austin.

Për gjeneralin e lartë të Pentagonit Koalicioni Ndërkombëtar kundër ISIS-it, ka përparuar ndjeshëm dhe se xhihadistët ndodhen në tërheqje të vazhdueshme dhe në vështirësi për t’u rigrupuar.