Maqedoni
Zjarrfikësit e Shkupit në protestë, kërkojnë t’u paguhet rroga e rrezikshmërisë
26.10.2020 14:05
Zjarrfikësit e Qytetit të Shkupit përmes protestës kërkuan nga Qyteti i Shkupit...

Zjarrfikësit e Qytetit të Shkupit përmes protestës kërkuan nga Qyteti i Shkupit t’ju paguhet pjesa shtesë e pagës për rreziqet gjatë punës. Kjo situatë, sipas tyre, po zgjat me vite, e ata vazhdimisht janë të detyruar që këto mjete t’i kërkojnë përmes proceseve gjyqësore. Këtë të drejtë para 18 muajve e vërtetoi edhe Gjykata, por Qyteti i Shkupit, sipas tyre, vazhdon me avazin e vjetër, duke mos ua dhënë paratë që u takojnë me ligj. Zjarrfikësit kërkojnë që shtesa në rrogë të korrigjohet që në pagën e tetorit, sipas vendimeve të Gjykatës.
“Edhe pse para 18 muajve Gjykata solli vendim në favorin tonë, respektivisht pjesa për rreziqe në punë të jetë pjesë e pagës mujore, Qyteti i Shkupit ende nuk e merr parasysh dhe këtë të drejtë dhe edhe njëherë jemi të detyruar ta kërkojmë përmes avokatëve dhe gjykatave. Sot vendosëm që të mblidhemi në protestë të qetë dhe të kërkojmë nga kryetari i Qytetit të Shkupit të marrë parasysh kërkesën tonë edhe atë sot, në të kundërtën nesër do të dalim në protestë para Qytetit të Shkupit.”,- deklaroi komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Dejan Isaevski.
Zjarrfikësit kanë formuar edhe një trup negociuesish të cilët do të kërkojnë nga kreu i Shkupit, Petre Shilegov, që ta respektojë vendimin e Gjykatës. Në të kundërtën, të martën do të protestojnë para Qytetit të Shkupit, bashkë me zjarrfikësit e katër çetave. Siguruan megjithatë se gjatë protestës do të ketë zjarrfikës kujdestarë, të gatshëm të intervenojnë në rast nevoje.
FITIM KRYEZIU
