Maqedoni
Gjendja Covid në kopshte, Shahpaska: 26 fëmijë pozitivë, situata është nën kontroll
26.10.2020 14:24
Që nga hapja e kopshteve më 9 shtator e deri më sot, gjithsej 26 fëmijë dhe 83 të punësuar...

Që nga hapja e kopshteve më 9 shtator e deri më sot, gjithsej 26 fëmijë dhe 83 të punësuar në kopshte kanë rezultuar pozitiv me Covid-19. Javën e kaluar ka pasur një rritje të lehtë të numrit të rasteve pozitive, por në përgjithësi situata në kopshte është stabile për momentin. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, thotë se gjendja po monitorohet në përputhje me zhvillimin e situatës së përgjithshme në vend, e nëse do është e nevojshme, të merren masa të reja.
“Kam të dhënat e javës së kaluar që pozitivë kanë rezultuar 9 fëmijë dhe 40 të punësuar. Për momentin në izolim janë 482 fëmijë dhe rreth 77 të rritur. Në përgjithësi, tani për tani, gjendja me fëmijët në kopshte është e mirë. Ne jemi duke analizuar dhe vlerësuar se si do të sillemi më tej.”,- tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jagoda Shahpaska.
Lidhur me kapacitetin e kopshteve, ajo informoi se aktualisht ato punojnë me gjysmën e numrit të fëmijëve të lejuar sipas protokolleve për funksionimin e tyre në kushte pandemie. Sipas protokolleve, në kopshte mund të kujdesen 20.718 fëmijë. Aktualisht ka 10.700 fëmijë, që do të thotë se kapacitetet sipas protokolleve nuk janë plotësuar. Ka prindër të cilët i regjistruan fëmijët, por nuk i çuan në kopsht, sqaron Shahpaska.
GYLTENE SINANI
