Maqedoni
Pandemia, VMRO–DPMNE kërkon dorëheqjen e Filipçes
26.10.2020 16:50
VMRO–DPMNE kërkon dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe...

VMRO–DPMNE kërkon dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe, pas rëndimit të bilancit të të infektuarve dhe viktimave nga Covid-19.
Nga partia e Mickovskit thonë se Fillipçe do të duhet të mbart përgjegjësi pasi në vend ndërtojnë jetë 11 persona në 1 milion banorë, për dallim nga Greqia dhe Shqipëria, ku virusi merr një jetë njeriu në një milion banorë.
“Filipçe, ti po e shpie shëndetësinë drejt shkatërrimit. Kriza me pandeminë shpalosi padrejtësitë që keni bërë. Në ligjin që keni propozuar s’ka asnjë masë konkrete për luftë kundër pandemisë. Konsiderojmë se duhet të reagoni më seriozisht, për situatën aktuale dikush duhet të mbart përgjegjësi dhe njerëz më kompetentë do të duhet të zënë vendet e atyre njerëzve në komision. Venko Filipçe, duhet të jepni dorëheqje.”,- tha Marija Miteva nga VMRO–DPMNE.
Filipçe: VMRO ndihmoi rëndimin e situatës
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, duke i ikur përgjegjësisë, drejtoi kundër-akuza në adresë të VMRO–DPMNE-së si fajtore për përshkallëzimin e situatës.
“Opozita fton në dorëheqje, por opozita të kishte dashur të ndihmojë tani ne do të kishim 16 spitale. Ata bllokuan ligjin dhe ne tani po rrezikojmë spitalet të cilat lirisht do të kishin mbetur të pastra. Tani duan të bllokojnë ligjin për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet ngjitëse, e shtynë për një javë nga arsye të paqarta. Shpresoj që nesër do ta marrin guxim dhe votojnë ligjin.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
ASh dhe Alternativa, kërkojnë Komision special
Përpos VMRO–DPMNE-së, edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkojnë formimin e komisionit special në kuadër të kuvendit për përballjen me pandeminë dhe për këtë arsye janë duke grumbulluar nënshkrime. Ministri i shëndetësisë shprehet i hapur për të biseduar për këtë iniciativë.
Nesër në kuvend në rend dite është propozim ligji për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet ngjitëse. Midis tjerash propozohet që maska të mbahet domosdoshmërisht edhe në ambiente të hapura, të ndalohet grupimi i njerëzve në vende publike pas orës 22 si dhe nëpër ambiente familjare të mos pranohen më shumë se katër mysafirë.
MERAL ISMAILI
