Maqedoni

VMRO: Filipçe ik! Pushim për të sëmurët kronik

27.10.2020 18:24

Agravimi i situatës me epideminë, shkas për përplasje politike...

VMRO-DPMNE akuzon pushtetin për dështim në mbrojtje të shëndetit publik dhe kërkon dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Konsideron se edhe ndryshimet në Ligjin për mbrojtje të popullsisë nga sëmundjet ngjitëse nuk do të japin rezultat, prandaj rekomandojnë zgjidhjet e tyre. Një ndër kërkesat emergjente është formimi i ekipit të krizës dhe lirimi nga puna i të sëmurëve kronik.    
 
“Situata mund të përkeqësohet sidomos për shkak të ajrit të ndotur, i cili në kombinim me KOVID-in është rrezik i madh për të sëmurët kronik. Prandaj VMRO DPMNE i bën thirrje Filipçes, që të liroj nga puna të sëmurët kronik. Shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha.”,- tha Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: Opozita me obstruksione dhe kritika pa bazë
 
VMRO DPMNE në opozitë vazhdon të keqpërdorë situatën e rënduar shëndetësore për pikë politike, u kundërpërgjigjën nga LSDM. Sipas partisë së Zaevit, VMRO dhe kreu i saj, vazhdojnë obstruksionet dhe kritikat e pabaza.
 
“Se sa me të vërtetë janë të shqetësuar për situatën me virusin Korona, flet fakti që në Kuvend po bëjnë obstruksion për ndryshimet në Ligjin për mbrojtje të popullatës nga sëmundjet ngjitëse, të nevojshme për rritjen e parandalimit të përhapjes së virusit Korona.”, – thuhet në kumtesën e LSDM-së. 
 
SHPËTIM NUREDINI