Botë
Virusi Korona përhapet me shpejtësi, shumë shtete po përgatisin ashpërsimin e masave
28.10.2020 11:43
Rritet për 40 % numri I viktimave në ditë nga virusi korona në Evropë krahasuar me një javë më parë..

Rritet për 40 % numri I viktimave në ditë nga virusi korona në Evropë krahasuar me një javë më parë, ku shifrat më të larta regjistrohen në Francë, Spanjë, Britani të Madhe, Holandë dhe Rusi, thuhet në raportin e OBSH-së. Brenda 24 orëve në Slloveni regjistrohen shifra rekorde me 2.605 raste të reja, në Bullgari 2,569 raste dhe 25 viktima ndërsa në Kroaci më shumë se 2,300 të infektuar të rinj.
Shqetësuese mbetet stërmbushja e spitaleve dhe njësive të kujdesit intensiv në Europë. Në Itali brenda 24 orëve u regjistruan 221 viktima dhe 22 mijë raste të reja derisa janë duke u zhvilluar protesta në shumë qytetet kundër kufizimeve.
Gjermania regjistron rreth 15 000 raste të reja, e cila e çon numrin e përgjithshëm të rasteve deri tani në 449 275 dhe të të vdekurve në 10 098. Situata e krijuar ka detyruar kancelaren Merkel të kërkojë një bllokim të lehtë të vendit duke filluar nga 4 nëntori dhe për të tërë muajin.
Edhe në Francë, autoritetet diskutojnë marrjen e masave strikte me ministrin e brendshëm që paralajmëroi njerëzit të përgatiten për vendime të vështira.
Numri i viktimave në Austri shkoi në mbi 1 mijë të martën ndërsa në Belgjikë, mjekëve u është kërkuar të vazhdojnë të punojnë edhe nëse janë prekur nga virusi pasi sistemi shëndetësor është në rrezik. Sllovakia ndërkohë do të fillojë të testojë të gjithë popullatën nga kjo fundjavë në përpjekje për të evituar masat më të ashpra.
Edhe Çekia shënon numër rekord prej 15,663 rasteve të reja. Rusia, raportoi një rekord tjetwr ditor prej 320 viktimash duke e çuar totalin në 26 589 e cila renditet e katërta në botë për nga numri i infektimeve të regjistruara me 1,540,000.
Shtetet e Bashkuara po përballen me numrat më të lartë të infektimit që prej fillimit të pandemisë ku numri i infektimeve brenda ditës është duke u rritur në 47 shtete, derisa i të vdekurve në 34. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i rasteve të reja në SHBA, brenda shtatë ditëve, ka arritur në rreth 73,000.
