Botë
Francë, tre të vdekur nga një sulm me thikë
29.10.2020 10:31
Tre persona kanë vdekur nga një sulm me thikë në qytetin francez, Nicë, ka bërë të ditur policia franceze.

Tre persona kanë vdekur nga një sulm me thikë në qytetin francez, Nicë, ka bërë të ditur policia franceze. Policia ka thënë se një gruaje i është prerë koka gjatë sulmit. I dyshuari është ndaluar pak pas sulmit.
Kryetari i Nicës ka thënë se gjithçka çon drejt “sulmit terrorist në zemër të bazilikës Notre-Dame”. Estrosi u ka thënë gazetarëve se i dyshuari i sulmit, ka bërtitur "Allahu Akbar" edhe pasi është arrestuar nga policia. Prokurorët francezë kundër-terrozimit kanë nisur hetimet për vrasje. Një nga të vdekurit ka qenë kujdestar në bazilikë.
Ministri i brendshëm francez, Gérald Darmanin, u ka bërë apel qytetarëve që të shmangin qendrën e këtij qyteti. Ai ka thënë se do të organizojë një takim për kriza brenda ministrisë së tij në Paris.
Sipas raportimeve franceze, një grua dhe një burrë kanë vdekur si shkak i sulmit, derisa i dyshuari është ndaluar 10 minuta më vonë, para se të dërgohej në spital.
Një minutë heshtjeje është mbajtur në Asamblenë Kombëtare, ku kryeministri, Jean Castex ka dhënë detaje për masat e reja të izolimit, që hyjnë në fuqi të enjten në mbrëmje. “Pa diskutim, kjo është një sfidë serioze që po godet shtetin tonë”, ka thënë ai, duke bërë thirrje për unitet dhe kohezion.
