Botë

Sulm terrorist në Nice të Francës, 3 viktima, sulmuesi u preu kokën dy prej tyre

29.10.2020 13:15

3 persona kanë humbur jetën në Francë, në atë që po cilësohet si një sulm terrorist....

3 persona kanë humbur jetën në Francë, në atë që po cilësohet si një sulm terrorist. Dy prej personave u është prerë koka. Një nga Viktimat, ka qenë kujdestar në bazilikë.Kryebashkiaku i Nice, Christian Estrosi, konfirmoi se autori i dyshuar i krimit është marrë në paraburgim. I dyshuari i sulmit, ka bërtitur “Allahu Akbar” (Zoti është më i madhi) edhe pasi është arrestuar nga policia. Prokurorët francezë kundër-terrozimit kanë nisur hetimet për vrasje.
 
Ministri i brendshëm francez, Gérald Darmanin, u ka bërë apel njerëzve që të shmangin qendrën e këtij qyteti. Sipas raportimeve franceze, një grua dhe një burrë kanë vdekur si shkak i sulmit, derisa i dyshuari është ndaluar 10 minuta më vonë, para se të dërgohej në spital. Këshilli Francez i Fesë Myslimanë dënoi sulmin dhe u bëri thirrje besimtarëve praktikantë në vend që të mos kryejnë rite dhe ceremoni fetare.
 
“Dënojmë me forcë sulmin terrorist që ndodhi pranë bazilikës së Notre-Dame të Nisës. Si shenjë respekti dhe solidariteti me viktimat dhe të dashurit e tyre, i bëjmë thirrje myslimanëve të Francës që të anulojnë të gjitha festimet apo mevludet”, tha Këshilli përmes një postimi në Twitter.
 
Kryeministri francez Jean Castex thotë se pa diskutim, kjo është një sfidë serioze që po godet shtetin tone, dhe ka  bërë thirrje për unitet dhe kohezion. Ky sulm vjen pasi një 18-vjeçar pakistanez plagosi me thikë dy persona jashtë zyrave të revistës satirike “Charlie Hebdo”, me të riun që pranoi se kreu sulmin për karikaturat e Profetit Muhamed. Ndërsa në fillim të këtij muaji, një profesori historie francez, Samuel Paty, iu pre koka në Paris për të njëjtat karikatura.
 
Nica ka qenë shënjestër e një prej sulmeve më të përgjakshme në vjetët e fundit, meqë më 14 korrik, 2016, një 31-vjeçar nga Tunizia, pati hyrë në një turmë me kamion, duke lënë të vdekur 86 persona.
 
GAZMEND REXHEPI